16/04/2024
18.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zaevi dhe Ahmeti në takim në Klubin e deputetëve në orën 14

Liderët e LSDM-së dhe BDI-së Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti sot në orën 14:00 së bashku me sekretarët e përgjithshëm të partive, Lupço Nikollovski dhe Artan Grubi, do të zhvillojnë një takim në Klubin e deputetëve. Në takim pritet të bëhet marrëveshja përfundimtare për formimin e koalicionit qeveritar.

Siç kumtuan dje LSDM dhe BDI, është arritur marrëveshje serioze mes dy partive në negociatat për formimin e qeverisë.

Gjatë fundjavës dhe dje, takimet intensive të punës vazhduan midis përfaqësuesve të LSDM-së dhe Koalicionit “Mundemi” dhe BDI-së me qëllim të krijimit të një marrëveshje koalicioni për një qeveri të ardhshme të qëndrueshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

LSDM dhe BDI Në dy ditët e kaluara punuan në harmonizimin e programeve zgjedhore dhe shpërndarjen e përgjegjësive sipas resorëve të të dyja partive dhe krijimin e një programi katërvjeçar për qeverinë e ardhshme, ndërsa bisedimet iu dedikuan tërësisht ekonomisë, drejtësisë, barazisë dhe integrimit. Të dy partitë informuan se është arritur një marrëveshje në parim në lidhje me shpërndarjen e përgjegjësive sipas resorëve, pa zbuluar detaje për kuadrot.

LSDM dhe BDI i filluan negociatat menjëherë pas seancës konstituive të Parlamentit më 4 gusht, dhe u mbajtën disa takime midis Zaevit dhe Ahmetit. Të dy partitë patën konsultime edhe të enjten javën e kaluar, pasi më parë në të njëjtën ditë, kreu i shtetit Stevo Pendarovski ia dha mandatin për formim të qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Takimi treorësh i Zaevit me Ahmetin në atë kohë, në një deklaratë të përbashkët, u vlerësua si konstruktiv dhe produktiv dhe në të cilin u arritën bazat për “përparim drejt një marrëveshje koalicioni për një qeveri të re evropiane të angazhuar për integrimin evropian, ekonominë, barazinë dhe sundimin e ligjit”.

Nga ana e saj, BDI kumtoi se bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar me LSDM-në po zhvillohen në nivele të ndryshme partiake, duke shprehur besim se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe një qeveri me mandat të plotë katërvjeçar, e cila do të votohet në Kuvend, do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe do ta vazhdojë partneritetin me aleatët Euroatlantikë.

Pas marrëveshjes për një qeveri të re, pritet që kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi të caktojë vazhdimin e seancës konstitutive dhe të zgjidhet kryetari i dhomës ligjvënëse i cili brenda afatit të përcaktuar me ligj do të duhet të mbledhë një seancë të re për zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar. ls/shk/

Të fundit