Zbulohen administratori dhe numrat e telefonit të anëtarëve të “Dhomës publike” – Tv Koha
Lajmi i Ditës Maqedoni

Zbulohen administratori dhe numrat e telefonit të anëtarëve të “Dhomës publike”

(MIA) – Policia e zbuloi administratorin dhe i ka numrat e telefonit të anëtarëve të grupit të mbyllur “Dhomë publike” në rrjetin social “Telegram” në të cilin janë publikuar fotografi me përmbajtje eksplicite, konfirmuan për MIA-n burime të hetimit.

Bëhet fjalë për rreth 7.400 numra të telefonit të anëtarëve të “Dhomës publike”. Hetimin të cilin po e udhëheq Byroja për Siguri Publike vazhdon, por tani për tani nuk zbulohen më shumë detaje.

Paraprakisht, Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se është duke ndërmarrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e rastit me grupin e mbyllur në rrjetin social “Telegram” në të cilin janë publikuar fotografi me përmbajtje eksplicite.

“Menjëherë pas denoncimit janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e rastit. Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë menjëherë kontaktoi me rrjetin “Telegram”, me qëllim të marrjes së të dhënave të nevojshme rreth funksionimit të këtij grupi dhe njëherësh e njoftuam për përmbajtjet që janë publikuar”, informoi për MIA-n zëdhënësi i MPB, Toni Angellovski.

Ai shtoi se është njoftuar edhe Prokuroria Publike dhe se janë duke u ndërmarrë masa për zbardhjen, ndërsa njëherësh u bën apel qytetarëve ta denoncojnë në polici keqpërdorimin e fotografive jo vetëm për këtë, por edhe për çfarëdo rasti tjetër.

Reagime për grupin pati dje në rrjetet sociale. Sipas informacioneve të shpërndara në rrjetet sociale një pjesë e fotografive të publikuara në këtë grup të mbyllur janë ndërmarrë prej profileve të hapura, ndërsa një pjesë janë ridërguar përmes profileve private dhe kanë pasur përmbajtje pornografike.

Grupi, siç deklaroi kryeministri Oliver Spasovski, është krijuar për një kohë shumë të shpejtë dhe të shkurtër dhe ka numër të madh të pjesëmarrësve.

“Sipas informacioneve që i kam marrë nga Byroja për Siguri Publike është ngritur procedurë e plotë për zbardhjen e këtij rasti, është njoftuar prokuroria publike dhe së bashku po punohet në zbulimin e administratorit, megjithatë edhe të anëtarëve të këtij grupi”, deklaroi Spasovski gjatë përgjigjes së pyetjes së gazetarëve në pres konferencën e sotme në Qeveri.

Ai bëri apel që të përfundojë sa më parë aktiviteti rreth përfundimit të të gjitha procedurave në pjesën e hetimit dhe të personave përgjegjës të cilët do të përcaktohen që të bartin përgjegjësi të plotë.

“Ky është apel për të gjithë ne, apel për prindërit, apel edhe deri tek institucionet arsimore që të kemi monitorim mbi fëmijët tanë dhe të reagojmë në kohë edhe familjet por edhe institucionet arsimore me qëllim që në mënyrë të përbashkët të kontribuojnë që të mos ndodhin raste të tilla. Gjithsesi se raste të tilla ka pasur edhe më parë në të cilat kemi punuar bashkërisht me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe janë zbardhur në kohë, megjithatë e gjithë kjo duhet të dëshmojë se jo vetëm elementi represiv në zbulimin e gjendjeve të tilla, por edhe shumë më herët të punohet në parandalim dhe të gjithë së bashku të punojmë edhe në familjet edhe në institucionet,” theksoi Spasovski.

Zëvendësministrja plotësuese e Punës dhe e Politikës Sociale, Sanella Shkrelj theksoi se është duke u punuar në mënyrë të koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe se për momentin nuk kanë ndonjë denoncim prej prindërve, por bëri apel deri tek të gjithë prindërit të cilët kanë informacion se fëmijët e tyre u janë ekspozuar dhe kanë qenë pjesë e këtij grupi të drejtohen në qendrat për punë sociale.

Sipas saj nëse vërtetohet se edhe krijuesit e grupit janë minorenë Qendra për punë sociale në bashkëpunim me MPB do të veprojë në kuadër të kompetencave të veta, ndërsa me MASH, siç shtoi, jemi duke u koordinuar dhe ata do të veprojnë përmes ekipeve të tyre profesionale që i kanë në shkolla. shk/

Related posts

Infektologu Tetovar Ilir Demiri heroi ynë në betejën kundër COVID-19!

Televizioni Koha

Analisti Bashkim Selmani: Shqiptarët të bashkohen në ekzekutiv

Televizioni Koha

Vazhdon debati për Ligjin për Prokurorinë Publike

Televizioni Koha

Leave a Comment