19/04/2024
5.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zejtarët i dorëzuan kërkesë ministrit Bekteshi për tejkalimin e situatës momentale

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë mbyllje të dyqaneve artizanale, por shumë prej tyre nuk kanë pasur qarkullim për tre muaj. Përfaqësues të tyre sot i dorëzuan propozime ministrit të Ekonomisë për të kapërcyer situatën aktuale për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Disa nga kërkesat janë linja krediti të veçanta dhe të paguhet paga minimale derisa zgjatë kriza.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka premtuar se do të merren parasysh kërkesat e Odës së zejtarëve.

“Ne u pajtuam që kërkesat e tyre të mund të realizohen me grupin e tretë të masave që Qeveria planifikon t’i paraqesë për një kohë të shkurtër. Kërkesat e tyre ishin që të ketë edhe linja krediti të veçanta, duke pasur parasysh që linjat fillestare të kredisë nga Banka zhvillimore ishin të orientuara kryesisht për hotelierinë, turizmin dhe transportin”, tha Bekteshi pas takimit.

Nga Oda e zejtarëve thotë se propozimet e tyre kanë për qëllim që artizanatet të mbijetojnë sepse, siç thonë ata, i pret një krizë.

“Zejtaria është në një situatë të vështirë. I kemi përcjellë kërkesat tona që besojmë se duhet të përmbushen. Nga ana e ministrit është potencuar se të gjitha kërkesat tona do të merren parasysh në mënyrë që t’i ndihmojnë zejtarët që t’i mbajnë dyqanet të hapura dhe t’i mbajnë vendet e punës”, thotë Agron Fazlii, kryetar i Odës së zejtarëve.

Në Odën e zejtarëve ka rreth 8.000 zejtarë të regjistruar në 14 oda rajonale zejtare. mb/

Të fundit