14/10/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zhan D’Ark, heroina franceze që u dogj e gjallë në turrën e druve

Më 30 maj të vitit 1431 një shenjtore digjet në turrën e druve. Flakët e tmerrit dogjën së gjalli 19-vjeçaren, Zhan d’Ark, duke finalizuar një gjyq fars. Një spektakël tmerri përcolli atë ditë fundmaji në vitet e largëta të mesjetës, se si trupi e një shpëtimtareje, i një vajze të përkorë, i një dëshmitareje të vullnetit qiellor, digjej e gjallë në turën e druve.

Ndëshkimi i asaj vajze të hyjshme do të ishte një tjetër padrejtësi që do të rëndonte me peshën e akuzës ndaj atyre që hynë në kujtesën e gjeneratave të damkosur nga vula e turpit. U përcoll ajo ngjarje në gjithë qytetërimin e mesjetës si një kulm i mprehtë i triumfit të një shpirti blatuar në besim. U ndjen në faj dhe pendim, u shtangën dhe u bënë me turp, gjithë ata që fabrikuan një akuzë ndaj një prej shembujve më domethënës të ngadhnjimit të besimit mbi çdo ndalim dhe shtypje.  Zhan d’Ark i dha Francës disa nga fitoret më legjendare dhe mori në këmbim të drejtën për të qenë zëri dhe vullneti i një force të epërme, i një pushteti sovran, i një drejtësie që ngrihet mbi çdo poshtërsi dhe anatemë dhe merr vlerë realiteti historik.

 

Zhan d’Ark kishte ardhur për të përmbushur një obligim të lartë dhe e bëri këtë kundër atij pushteti dhe asaj smire, që e akuzoi dhe e ndëshkoi. Ajo u shua në turrën e druve më 30 maj të vitit 1431 dhe u shndërrua në një shenjtore që lyp përulësi dhe mirënjohje.

Shumë vite më vonë, Kisha Katolike do ta shpallte Zhan d’Arkën martire dhe shenjtore, ndërsa Shekspiri, Volteri, Michelet, Schiller, Mark Twain, Anatole France, George Bernard Shaw dhe të tjerë të shumtë për t’u përmendur demostruan heroizmat dhe fatin e saj fatal me shkrimet e tyre.

Më 30 maj kalendari kishtar përkujton Shën Zhan d’Ark, virgjër. Sapo i kishte mbushur trembëdhjetë vjet, u tha prindërve, Zhakut e Izabelës: “Dëgjoj shpesh zërat e shenjtorëve: zërin e Kryengjëllit Mikel, të Shën Katerinës së Aleksandrisë e të Shën Margeritës së Antiokisë; më bëjnë thirrje për të ecur në rrugën e përshpirtërisë!”.

 

 

Ndërsa në moshën 18 vjeçe u besoi të fshehtën e madhe: “Zërat më bëjnë thirrje të çliroj Francën!”. I ati u tërbua e ajo u detyrua të ikë nga shtëpia, ku nisën ta shikojnë si të çmendur. Por kur parafoli mundjen e Francës, e paralajmërimi i saj u vërtetua pikë për pikë, fisnikët e zonës e shoqëruan tek mbreti, që ndodhej në Kinon. Asokohe mbret ishte Karli VII, 26 vjeç, i ligsht, pa kurrfarë sigurie në vetvete, i torturuar nga mendimi se ishte bir i paligjshëm, që ia kishte ushqyer vetë e ëma.

Ndërkaq veriu i Francës, me gjithë Parisin, ishte ndër duart e anglezëve e të borgonjonëve; në ushtrinë e Francës mbretëronte plogështia e shpërdorimi, Orleans-i ishte i rrethuar nga anglezët. E kjo katundare analfabete i foli mbretit për fitore, ia zbuloi mendimet e fshehta të së tashmes e të së kaluarës, i paralajmëroi ndëshkime qiellore në se nuk do ta shpëtonte Francën. Atëherë mbreti, pasi u këshillua me profesorët e gjykatësit, i la dorë të lirë.

Dikush e quante të marrë, dikush shenjte! Ndërkaq Zhana d’Ark kishte në mendje një plan krejt të qartë, që filloi me riorganizimin e ushtrisë: nënshtroi komandantët, i detyroi trupat t’i bindeshin, rivendosi disiplinën. Pa bërë asnjë mrekulli tjetër: është kjo mrekullia e saj. Fliste, qortonte, nxiste. E dinte se Francës së gjunjëzuar, i duhej një fitore e menjëhershme. Nisi, prandaj, të mendojë për trupat që duhet të çlironin Orleans-in nga rrethimi. Ushtarët, që rifituan dinjitetin e tyre, iu binden me kënaqësi Zhanës, ndonëse ajo tregohej tepër e ashpër me ata që blasfemonin.

Erdhi, pastaj, veprimi politik kryesor. Zhana e hoqi pothuajse zvarë Karlin VII në Reims, ku e kurorëzoi më 17 korrik 1429. Kështu Franca kishte një mbret të vërtetë e të padiskutueshëm, para të cilit tani qytetet e shumta armike hapnin portat. Kjo është kthesa politike dhe ushtarake që çoi drejt fitores: në vitin 1437 Karli VII hyri ngadhënjimtar në Paris. Po Zhana nuk ishte më. Pasi u plagos para Parisit (shtator 1429) ajo u kap nga borgonjonët, të cilët ia shitën anglezëve. Ata hapën menjëherë kundër saj një proces gjyqësor. U paraqit si shtriga e Ruënit para një gjykate të kryesuar nga Pierr Kushon, ipeshkëv i Bovesë, në të cilën bënin pjesë dyzet anglezë e po aq francezë anglofilë. Zhana nuk kishte mbrojtës, në një kohë kur edhe pjesëmarrja e gruas në luftë, veshur si mashkull, konsiderohej krim. Qëndroi e papërkulur para gjykatësve, ripohoi se “zërat” nuk e kishin gënjyer, kapërceu një çast ligështie, i thirri sërish “zërat”, dëgjoi pa i luajtur qerpiku dënimin me vdekje: djegie mbi turrën e druve si shtrigë.

E dogjën, sapo i kishte mbushur 19 vjet, në mes të Sheshit të Tregut në Ruë. Nga flakët, që ia pushtonin trupin, ajo s’ia ndante sytë të Kryqëzuarit, të cilin rrëfyesi e mbante të ngritur lart para saj. Në vitin 1455 papa Kalisti III urdhëroi të rishikohej procesi e të rehabilitohej plotësisht Virgjëra e Orleanit. Zhanë d’Ark, për të cilën janë shkruar mijëra faqe historike e letrare, u shpall e lume nga papa Piu X në vitin 1910; shenjte – nga Benedikti XV në vitin 1920.

Të fundit