19/04/2024
4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zjarri në Tetovë u shua, zjarrfikësit kanë punuar edhe natën

Edhe në orët e mbrëmjes zjarrfikësit kanë punuar për shuarjen e plotë të zjarrit në Tetovë, i cili gjatë ditës së djeshme pas “luftës” disa orëshe u vendos nën kontroll.

Zjarri filloi në ndërtesën e ish-fabrikës “Makedonija Tabak” dhe përfshiu dy objekte në afërsi, në të cilat kompani private kanë prodhuar materiale ndërtimore. Zjarri u vu nën kontroll me ndihmën edhe të ushtrisë dhe zjarrfikësve nga të gjitha qytetet e vendit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Zjarri është lokalizuar gjatë natës dhe është vënë nën kontroll, ka ende tym, pasi është djegur dhe ka rënë e gjithë kulmi i objektit të madh. Ky ishte një nga zjarret më të mëdha në karrierën time dhe hodhëm sasi tepër të mëdha të ujit”, tha komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Uka Aliti.

Dy zjarrfikës janë lënduar lehtë, si dhe disa që kanë thithur tym kanë pasur probleme me frymëmarrjen, ndërsa dëme tjera në njerëz nuk ka pasur. Qendra për Shëndet Publik në Tetovë dje rekomandoi që të sëmurët dhe fëmijët të mos dalin nga shtëpia nëse nuk kanë nevojë ose të mbajnë maskë mbrojtëse KN 95.

“Zjarri është nën kontroll të plotë falë intervenimit të fuqishëm të zjarrfikësve nga Tetova, Shkupi, Kumanova, Gostivari, Kavadari, falë helikopterit të ushtrisë dhe policisë, por edhe punonjësve dhe qytetarëve të tjerë që ndihmuan në transportimin e materialeve”, tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov.

Sa i përket shkaqeve të zjarrit, Angellov tha se kjo nuk është kompetencë e tyre dhe se do të presin që autoritetet përkatëse të nisin hetimet.

Të fundit