Rritja e inflacionit nuk po ndalet. Enti Shtetëror i Statistikave ka regjistruar një rritje prej 4,8% të kostos së jetesës në muajin maj krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Llogaritjet e Statistikave tregojnë se në muajin e pestë të këtij viti ka pasur rritje pothuajse në të gjitha shpenzimet e amvisërive, duke përfshirë banimin, shërbimet shëndetësore, rekreacionin, vizitat në manifestime kulturore, arsimin dhe shërbimet hotelierike.
Transporti, ushqimi dhe pijet janë shtrenjtuar. Enti i Statistikave ka regjistruar një inflacion prej 4,8% në maj të këtij viti krahasuar me majin e vitit të kaluar. Ndërkohë, çmimet me pakicë janë rritur për 5,6%.
Nga raporti i statistikave mund të shihet se brenda një viti pothuajse gjithçka është shtrenjtuar. Rritjen më të madhe e ka pësuar transporti, me 11%
Sa i përket produkteve ushqimore, goditja më e madhe është te mishi. Nga viti i kaluar deri më tani, çmimet e mishit janë rritur me gati 9%. Pas tij vijnë vaji, qumështi, vezët dhe pijet joalkoolike.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria po e ndjek me kujdes gjendjen me inflacionin dhe po shqyrton masa që do të jenë në interes të qytetarëve, por për momentin nuk do të ndërhyjë në çmimet e alkoolit dhe produkteve të duhanit.
Sipas analizave të Qeverisë, arsyet kryesore për inflacionin prej 4,7 për qind në nivel vjetor gjatë muajit maj janë shërbimet e transportit dhe çmimet e alkoolit, cigareve dhe produkteve të duhanit.
Ai shtoi se Qeveria tashmë po zhvillon bisedime me transportuesit, pasi pjesa më e madhe e rritjes së çmimeve në këtë sektor vjen nga transporti ajror dhe çmimet më të larta të kerozinës.
Përllogaritja e fundit e shportës minimale konsumatore tregon se një familjeje katëranëtarëshe i nevojiten 68.700 denarë në muaj. Prej tyre, 25.500 denarë janë të destinuara për blerjen e ushqimit./Tv Koha/







