Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot foli në ceremoninë e dorëzimit të automjeteve dhe pajisjeve të specializuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme, të siguruara në kuadër të projektit rajonal IPA “Mbështetja e BE-së për forcimin e luftës kundër kontrabandës së migrantëve dhe trafikimit të njerëzve në Ballkanin Perëndimor (EU4FAST)”, raporton BV.
Në kuadër të donacionit u dorëzuan 30 mjete për verifikimin e dokumenteve, dy detektorë të rrahjeve të zemrës për zbulimin e personave në hapësira të fshehura, shtatë automjete (katër terreni dhe tre furgona), si dhe pesë kamera video, të destinuara për Policinë Kufitare dhe Njësinë Kombëtare për luftë kundër kontrabandës së migrantëve dhe trafikimit të njerëzve.
Në fjalën e tij, ministri Toshkovski theksoi se mbështetja nga Bashkimi Evropian paraqet një kontribut konkret në forcimin e kapaciteteve të policisë maqedonase dhe në përmirësimin e efikasitetit të saj operativ.
“Jetojmë në një kohë komplekse gjeopolitike që kërkon vigjilencë maksimale dhe kohezion të strukturave të sigurisë. Kufijtë tanë janë pjesë e barabartë e arkitekturës së sigurisë së kontinentit evropian, ndërsa institucionet tona janë në vijën e parë të mbrojtjes së vlerave të përbashkëta evropiane. Prandaj çdo investim në modernizimin e shërbimeve tona është njëkohësisht investim në paqen dhe stabilitetin e të gjithë hapësirës evropiane”, theksoi Toshkovski.
Ministri vuri në dukje se rrjetet kriminale veprojnë transnacionalisht dhe vazhdimisht i përshtatin metodat e tyre, ndaj është i domosdoshëm një reagim i koordinuar dhe i menjëhershëm, i bazuar në bashkëpunim të fortë ndërkombëtar.
Ai theksoi se projekti EU4FAST paraqet një shembull të suksesshëm të veprimit të përbashkët të institucioneve të rajonit dhe partnerëve evropianë përmes trajnimeve, shkëmbimit të informacionit dhe aktiviteteve të koordinuara në terren.
“Automjetet dhe pajisjet e specializuara të dhuruara do të vihen menjëherë në funksion, duke rritur ndjeshëm mobilitetin, efikasitetin dhe kapacitetet operative të njësive policore në përballjen me kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e njerëzve”, theksoi Toshkovski.
Ai nënvizoi se këto forma të krimit të organizuar kanë pasoja të drejtpërdrejta mbi fatet njerëzore, ndaj Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të zbatojë një qasje multidisiplinare me komponentë të fortë humanë në çdo aktivitet operativ.
Në fund të fjalës së tij, ministri Toçkovski shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian, komunitetit të donatorëve dhe ekipit të projektit për mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin, duke theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut do të mbetet partner aktiv dhe kredibil në të gjitha iniciativat e drejtuara drejt forcimit të sigurisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal.
Projekti EU4FAST mbështet institucionet partnere në rajon në forcimin e parandalimit, hetimit, ndjekjes së autorëve si dhe mbrojtjes së viktimave, përmes një qasjeje të kombinuar që përfshin trajnime, asistencë teknike, furnizim me pajisje dhe përmirësim të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Projekti është i kofinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ministria e Punëve të Brendshme e Italisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës. Zbatimi realizohet nga një konsorcium i udhëhequr nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), së bashku me partnerë evropianë nga fusha e punëve të brendshme dhe drejtësisë.







