18/05/2024
22.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Është duke u bërë gati lista e produkteve që do të kenë tatim 10%

Listën e produkteve që do të kenë tatim 10 për qind duhet ta përgatisë Ministria e Financave, ndërsa para se të miratohet nga ana e Qeverisë do të konsultohen odat ekonomike dhe organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve, ndërsa janë në interes të qytetarëve, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për media për Buxhetin e ri të Ministrisë për vitin 2023 bashkë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ai gjatë kësaj theksoi se nga Ministria e Ekonomisë janë të përfshirë plotësisht në këtë proces dhe kanë përfaqësues të tyre.

“Kjo është punë e Ministrisë së Financave. Sot dua të përsëris se produktet ushqimore bazë do të fillojnë të taksohen me 5 për qind, por edhe atje duhet të kemi parasysh që disa produkte në vendin tonë, që janë luksoze, tashmë taksohen me 5 për qind. Përpara se lista të jetë gati dhe të miratohet nga qeveria, sigurisht që është dhënë në konsultim me odat ekonomike, e veçanërisht me ato organizata për mbrojtjen e konsumatorëve dhe qytetarëve në përgjithësi, me qëllim që bashkërisht të bëjmë një listë që do të jetë në interes të konsumatorëve tanë, të qytetarëve tanë në vendin tonë. Mendoj se në dy javët e ardhshme do të kemi draft listën që do të ndahet me të gjithë grupet e interesuara”, tha Bekteshi në pyetjen e gazetarëve se kur do të publikohet lista e produkteve që do të kenë tatim 10 për qind.

Në lidhje me ngrirjen e marzhave, të cilat janë në funksion të stabilizimit të çmimeve, Bekteshi shtoi se ai vendim do të vazhdojë të vlejë deri në fund të prillit deri kur është shpallur krizë energjetike nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa nëse ka nevojë do të miratohen edhe masa plotësuese.

“Sipas të dhënave që marrim ne si Ministri e Ekonomisë, çmimet tashmë janë në stabilizim, veçanërisht për produktet ushqimore bazë. Siç e thashë, vendimi në pjesën e përcaktimit të marzheve do të vazhdojë deri në fund të prillit. Nëse është e nevojshme, sigurisht që kemi hapësirë ​​për të marrë masa shtesë, por më e rëndësishmja është se disa rrjete supermarketesh tashmë e kanë marrë porosinë nga qeveria dhe kanë filluar të ngrijnë vetë çmimet në mënyrë që të mos futemi në një situatë që qeveria i ngrin sepse ne jemi për ekonomi tregu dhe sigurisht që tregu duhet t’i përcaktojë çmimet dhe çmimet duhet të jenë në interes të qytetarëve. Aty ku do të ketë abuzime, ju e dini që jemi pothuajse lider në rajon në zbatimin e masave të tilla”, tha Bekteshi.

Sipas tij, tashmë ka ulje të çmimeve të produkteve bazë në marketet dhe kjo realizohet në kuadër të pritjeve të Qeverisë në shtrirje prej 7 deri 13 për qind.

“Mendoj se tashmë ka një ulje të lehtë të çmimit. Nuk ka më bukë prej 52 denarësh për çka janë bërë drama këtu në Qendrën Mediale të Qeverisë. Tashmë edhe ‘Zhito Luks’ ka filluar uljen e çmimeve, ndërsa prodhues të caktuar kanë disa javë që i ulin ato. Vaji ushqimor nuk është më 150 denarë, as 160 denarë. Në markete të caktuara mund të gjendet për më pak se 100 denarë. Gjithmonë kemi thënë se në muajin dhjetor presim ulje nga 7 në diku rreth 12, maksimumi 13 për qind, dhe po të shkosh sipas listës së produkteve, të cilat përfshihen në vendimin për të bërë krahasim, do të shikoni që ka një përqindje të tillë uljeje. Ne kemi qenë shumë të hapur, transparentë sidomos ndaj qytetarëve dhe nuk kemi thënë që do të ketë ulje 50 për qind, 70, 80 për qind për muajin dhjetor. Për muajin janar përllogaritjet janë bërë si nga kompanitë ashtu edhe nga odat ekonomike dhe sigurisht presim ulje të mëtejshme. Sa do të jetë ajo ulje, do t’ju informojmë me kohë pasi të kemi përfunduar konsultimet me të gjitha odat ekonomike”, tha Bekteshi.

Me shkallë të autorizuar të tatimeve prej 10 për qind duhet të taksohen disa produkte të caktuara për ushqim të njerëzve që nuk janë pjesë e produkteve themelore.

Të fundit