Të nderuar familjarë, kolegë, studentë, miq,
Sot jemi mbledhur për të kujtuar dhe nderuar një profesoreshë të jashtëzakonshme të matematikës, një mendje të ndritur, një njeri të dashur dhe të pakrahasueshëm – Profesoreshën Flamure Ibraimi- Sadiki.
Prof. Dr. Flamure Ibraimi-Sadiki lindi me datë 23 korrik 1977 në Tetovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Tetovë. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Tetovës në vitin 2001, si një nga studentet e gjeneratës së parë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, programi studimor matematikë. Magjistroi në vitin 2008 në Universitetin e Prishtinës ndërsa doktoroi në vitin 2015 në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Në vitin 2001, filloi punën si profesoreshë e matematikës në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” Tetovë derisa paralelisht u angazhua si asistente në Universitetin e Tetovës nga viti 2002.
Në vitin 2006 u bë asistente e rregullt. Në vitin 2015 mori thirrjen akademike docent ndërsa në vitin 2020 thirrjen akademike Profesor inordinar.
Publikoi mbi 20 studime shkencore, tekste universitare dhe recensione në lëminë e Algjebrës dhe Gjeometrisë së fundme. Mori pjesë në shumë konferenca shkencore në rajon dhe më gjërë.
Profesoresha Flamure dha kontribut shumë të çmuar si mësimdhënëse, si shefe e programit studimor matematikë dhe si anëtare e Senatit të Universitetit të Tetovës, si rezultat i së cilës në vitin 2024 nga Kryetari I Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti i ndahet logoja e Universiteti të Tetovës për kontributin e pakursyer dhe për merita të veçanta në punën kërkimore, shkencore dhe në mësimdhënie..
Profesoresha Flamure Ibraimi – Sadiki ishte një shkencëtare brilante dhe një mësuese frymëzuese. Pasioni i saj për matematikën nuk ishte thjesht një përkushtim akademik; ajo besonte se matematika mund të na ndihmonte të kuptonim jetën më thellë dhe të zbërthenim bukuritë e saj të fshehura. Për të, numrat dhe formulat nuk ishin vetëm mjete, por dritare për të parë logjikën dhe harmoninë që ekzistojnë në gjithçka përreth nesh. Për studentët e saj, ishte frymëzim, mbështetje, dhe një burim i pashtershëm kuraje. Ata që e njohën Flamuren nga afër e dinin që ajo gjithmonë shihte tek ta më shumë nga ç’ata shihnin te vetja. Ajo ishte një udhërrëfyese, një njeri që dinte si të nxiste talentin dhe vetëbesimin në çdo zemër që prekte.
Shpesh, jeta na sjell bashkë në mënyra që as nuk i kemi parashikuar. Ne ishim pranë njëra-tjetrës për çdo gëzim, moment të vështirë, apo kujtim të çmuar. Por kush do ta mendonte që një ditë do të ndanim edhe një barrë të njëjtë – të njëjtën sëmundje?
Flamurja, më qëndroi pranë në momentet më të vështira të jetës sime, atëherë kur unë u përballa me kancerin e gjirit. Kur m’u desh të luftoja me këtë sfidë, ajo ishte aty, më mbante dorën dhe më jepte forcë për të vazhduar. Me të kam ndarë frikën, dhimbjen dhe shpresën për të ardhmen, dhe ajo gjithmonë më ndihmonte të gjeja një forcë të re brenda vetes.
Kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të dhënë kurajë. Ajo kishte një zemër të madhe dhe një frymë optimiste që të ngjallte jetë. Në çdo bisedë, në çdo inkurajim, Flamurja më tregonte se si të përballoja vështirësitë me kurajo dhe qëndrueshmëri. Në çdo fjalë që më thoshte, ndieja se kisha pranë jo vetëm një mikeshë, por një forcë që më jepte energji për të ecur përpara.
Në betejën e saj me kancerin, ajo tregoi një qëndresë të jashtëzakonshme. Ajo luftoi sëmundjen me guxim dhe një vendosmëri të qetë. Edhe kur trupi i saj dobësohej, shpirti i saj mbeti po aq i fortë sa gjithmonë. Për studentët e saj, ajo mbeti një simbol i njohurive dhe inkurajimit; për kolegët, një model përkushtimi dhe mirëkuptimi; dhe për mua, një mikeshë e pazëvendësueshme, kujtimi i së cilës do të qëndrojë me mua përgjithmonë.
Dhe sot, ah, sa shumë do të doja që ajo të ishte këtu, duke folur me gjithë dashurinë dhe kurajon e saj të zakonshme, duke na frymëzuar dhe duke na kujtuar rëndësinë e çdo momenti. Ajo ishte një burim dritë dhe guximi; ashtu siç ndihmoi studentët e saj të kuptonin thellësinë e matematikës, mua më ndihmoi të kuptoja thellësinë e qëndrueshmërisë dhe dashurisë në kohëra të vështira. Ndjej aq shumë boshllëk, por edhe mirënjohje të pafund për çdo çast që patëm bashkë.
Flamurja la pas vetes një trashëgimi të pashlyeshme – jo vetëm si profesoreshë dhe si matematiciene, por si njeri. Ajo është një shembull se si jeta mund të jetohet me pasion, me bujari, dhe me dashuri të pakushtëzuar. Sot, teksa i thurim lavdi jetës dhe kontributit të saj, le të kujtojmë gjithashtu kurajon e saj, mirësinë e saj, dhe aftësinë për të frymëzuar të tjerët. Ajo nuk është më mes nesh fizikisht, por kujtimi i saj jeton në çdo zemër që e ka njohur.
Faleminderit, Flamure, për gjithçka që ishe dhe gjithçka që na le. Do të na mungosh më shumë se ç’mund ta thonë fjalët, por e di që kujtimi yt do të jetë gjithmonë udhërrëfyes për të gjithë ne.
Shpirti yt I bardhë u prehtë në paqe. Deri në takimin tone të ardhshëm mike e dashur!







