01/03/2024
9.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ngec shpronësimi i tokës për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10-D

Shpronësimi i tokës për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d ka ngecur. Nga raporti i Mbikëqyrjes për korridoret që do të ndërtojë konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”, rezulton se shteti deri më tani ka shpronësuar vetëm 58% të tokës për autostrada Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan – Qafë Thanë dhe Prilep – Manastir.

Mjetet për shpronësim llogariten rreth 300 milionë euro. Shteti, sipas autoriteteve, do ta blejë tokën me çmim tregu që llogaritet në bazë të taksës së pasurisë që paguan pronari i pronës.

Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore deri më tani i ka paguar “Bechtel dhe Enka” rreth 235 milionë euro, ndërsa këtë vit planifikohet të transferojë 250 milionë euro të tjera direkt nga buxheti i shtetit.

“Bechtel and Enka” ka ndërtuar autostradat edhe në Kosovë, ku dje u shpall aktgjykimi për pagesë të kundërligjshme prej 53 milionë eurosh. Ish-ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, është dënuar me tre vite e tetë muaj burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dëmtim të qëllimshëm të buxhetit të shtetit. Gjithashtu atij iu ndalua për tre vite e gjysmë ushtrimi i funksioneve publike në administratën publike.

Me burg u dënuan edhe sekretari i tij, drejtori i prokurimeve dhe këshilltari i ministrit.

Përveç Maqedonisë dhe Kosovës, “Bechtel dhe Enka” ishte prezente edhe në Shqipëri, Kroaci dhe Rumani, ku pati afera korruptive. Kroacia dhe Rumania u detyruan të anulonin para kohe kontratat e tyre me konsorciumin amerikano-turk.almakos

Të fundit