30/04/2024
15.8 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 1778

Ndërroi jetë një shtetase maqedonase në një aksident në Kroaci

Shtetasja maqedonase ndërroi jetë sot në autostradën A3 në Okuçan në Kroaci kur vetura me targa gjermane në të cilën ishte bashkë shofere ka dalë nga rruga në një kanal dhe është rrokullisur.

Nga policia e zhupanisë Brod-Posavinë informuan se aksidenti kishte ndodhur në mëngjes rreth orës pesë. Në vendin e ngjarjes menjëherë ishin dërguar ekipe të policisë, njësite zjarrfikëse dhe Ndihma e shpejtë, transmeton Hina .

Është konfirmuar se një grua shtetase e Maqedonisë së Veriut ka humbur jetë, ndërsa shoferi gjithashtu shtetas maqedonas është lënduar, por ka refuzuar ndihmën mjekësore.

Zëdhënësja e policisë Kata Nujiç deklaroi se po kryhet ekspertizë në vendin e ngjarjes dhe po konfirmohen rrethanat se kur ka ndodhur. fc/

Reka në Kërçovë, Pendarovski në rajonin e Shkupit dhe Siljanovska në Krushevë

0

Kandidatët për president edhe sot në takime me qytetarët, tribuna dhe mitingje e vazhdojnë fushatën zgjedhore me prezantimin e programeve dhe koncepteve të tyre.

Kandidati për president, Blerim Reka, i cili mori mbështetje nga BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, sot do të mbajë miting në Kërçovë.Karvani i koalicioni “Së bashku përpara” të kandidatit për president Stevo Pendarovski do të jetë në takime me qytetarët e Zelenikovës, Petrovecit, Ilindenit, Haraçinës dhe Gazi Babës. Ai do të marrë pjesë edhe në aksionin vullnetar të Qytetit të Shkupit.

Kandidatja për presidente e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Gordana Siljanovska Davkova, do të mbajë mitingje në Krushevë dhe në Prilep.

Në fushatën e deritanishme ndër temat kyçe të kandidatëve që kanë dhënë qëndrime të tyre ishin Marrëveshja e Prespës, problemi me emigracionin e të rinjve, perspektivat për anëtarësimin e shtetit në NATO dhe në BE, por edhe tema ditore politike.

Sipas paralajmërimit nga shtabet zgjedhore, Siljanovska Davkova do të prezantohet në mitingun qendror në Shkup gjatë fundjavës që po afrohet më 13 prill, ndërsa një ditë më pas 14 prill, miting qendror do të ketë edhe Pendarovski. Reka do të ketë konventë përfundimtare më 18 prill.

Fushata zyrtarisht filloi më 1 prill, ndërsa do të zgjasë deri më 19 prill, pas çka vijon heshtje 24 orëshe zgjedhore para ditës së votimit më 21 prill. fb/

Në pritje të hapit të Ivanovit për “27 prillin”

0

Ende nuk dihet se a do t’i falë presidenti Gjorge Ivanov të dënuarit për “27 prillin”, të cilët deri te kabineti i tij kanë dorëzuar kërkesa për falje. Nga “Vila Vodno” nuk theksojnë se cilët persona të dënuar kanë kërkuar që të falen dhe se si do të veprojnë.

Në pritje të veprimit të Ivanovit, kryeministri Zoran Zaev dje përsëriti se nuk pret që presidenti i shtetit do t’i falë personat e dënuar për rastin e “27 prillit”, sepse nuk ekziston mundësi e tillë në ligj, por edhe se veprime të tilla janë të ndaluara gjatë fushatës zgjedhore.“Është e qartë si dita. Neni 11 i Ligjit për amnisti nuk ekziston, ai është shfuqizuar dhe nuk mund të veprohet sipas tij. Procedurat udhëhiqen përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe ato mund të arrijnë deri te presidenti i RMV-së, por nuk mund të udhëhiqen gjatë zgjedhjeve. Ato janë veprime të ndaluara, ndikojnë në procesin zgjedhor sepse ndikojnë në vetë votuesit. Mund të udhëhiqen pasi të përfundojnë zgjedhjet presidenciale. Ato përfundojnë më 5 maj, përfundimin zyrtar e shpall KSHZ-ja sipas afateve për ankesa dhe raportet përfundimtare, ndërsa mandati i presidentit Ivanov është deri më 12 maj, kështu që nuk pres kurrfarë falje nga ana e tij”, tha kryeministri Zaev duke u përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas ndarjes së mirënjohjes olimpikëve të Paraolimpiadës Sportive në Qeveri.

Njeriu i parë i Gjykatës Penale, Ivan Xholev dje në brifing me gazetarët informoi se Gjykata deri më tani nuk ka marrë kurrfarë kërkese për falje, as nga të akuzuar, e as nga të dënuar.

Xholev, në lidhje me shkrimet në media për falje të mundshme nga presidenti i shtetit, tha se nuk është mirë që Gjykata para kohe të prononcohet dhe të merr qëndrim për diçka.

“Presidenti i shtetit ka të drejtë që të fal dhe ky është fakt. Nëse sillet falje, Gjykata atëherë do të prononcohet dhe do të vlerësojë për të”, deklaroi Xholev.

Sipas ministres së Drejtësisë Renata Deskoska procedurë për pajtim mund të udhëhiqet vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa deri te ata deri më tani nuk kanë arritur kërkesa nga persona të dënuar për ngjarjet në Kuvend nga 27 prilli i vitit 2017.

Deskoska thekson se nuk ka mundësi ligjore që të udhëhiqet procedurë për amnisti nga ana e presidentit të shteti.

“Është fshirë neni 11 i Ligjit për falje i cili paraprakisht parashihte procedurë e tillë nga ana e presidentit, por edhe me vendim të ndërprerë të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 ai nen nuk është “ringjallur”, gjegjësisht nuk ekziston në sistemin juridik të shtetit”, sqaron ministrja.

Pengesa e dytë, siç shton Deskoska, del nga fakti se janë shpallur zgjedhje presidenciale, ndërsa në këtë periudhë nuk mund të jepen falje.

“Ministria e Drejtësisë pasi janë shpallur zgjedhjet nuk dorëzon kurrfarë lëndë për falje deri te Kabineti i presidentit të shtetit. Në atë moment kur Komisioni Shtetëror Zgjedhor zyrtarisht do të shpallë se zgjedhjet kanë përfunduar do të mund të dërgohen kërkesa për falje deri te Kabineti i presidentit”, thotë ministrja e Drejtësisë.

 

Për dhunën në Kuvendin e 27 prillit të vitit 2017, më 15 mars të këtij viti me burg prej gjithsej 211 vite ishin dënuar 16 persona.

Dënimin më të lartë prej 18 viteve e mori ish ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtor i BSP, Mitko Çavkov.

Mandati i presidentit aktual Gjorge Ivanov skadon më 12 maj të këtij viti. Pasardhësi i tij duhet të dihet pas zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen më 21 prill dhe 5 maj. fc/

 

 

Shtatë vite nga vrasja e pesëfishtë tek Liqeni i Smillkovës

0

Sot mbushen shtatë vite nga vrasja e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës. Më 12 prill të vitit 2012, e Enjtja e Madhe, u vrarë pesë shkupjanë derisa kanë qenë duke peshkuar pranë liqenit.

U vranë katër djem të moshës nga 18 deri në 21 vjeç nga lagjja Radishan e Shkupit, Filip Sllavkovski, Aleksandar Naqevski, Cvetanço Ackovski dhe Kire Tërpkovski, si dhe 45 vjeçari Borçe Stevkovski nga fshati Creshevë.

Për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës u hap lënda “Monstra”, ndërsa me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Islamiloviq dhe Ezil dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i pezulloi aktvendimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Islamiloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masë kujdesi. Pas pezullimit të aktvendimeve, rastin “Monstra” e ndërmori PSP-ja dhe lënda u kthye në rigjykim.

Për gjykimin ende të pakapshëm janë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, pas të cilëve janë shpallur urdhër-arrestime ndërkombëtarë. Nga Ministria e Drejtësisë ende presin përgjigje të kërkesës për ekstradimin e tyre nga Kosova.

Rastin e udhëheq gjykatësi Ognen Starvev dhe ndodhet në procedurë dëshmuese. Në rrjedhën e deritanishme të procedurës është kryer ekspertizë publike e automjetit “opel omega”, janë marrë në pyetje ekspertë nga MPB-ja, mjekësia ligjore dhe balistika. Në seancën e fundit opinioni u përjashtua sepse u prezantuan dëshmi të siguruara me masa të veçanta hetuese. mb/

Stuhi e borës në SHBA: Është vërejtur fenomen i rrallë i borës me bubullima

0

Stuhi e fuqishme pranverore e borës i kaploi shtetet qendrore të SHBA-së, ndërsa mediat lokale përkujtojnë se ky është cikloni i dytë i cili kalon përgjatë rajonit për vetëm një muaj.

Qindra fluturime janë anuluar, ndërsa disa rrugë janë të pakalueshme ose të mbyllura për shkak të aksidenteve të trafikut por edhe për shkak të dukjes së zvogëluar.

Sipas disa meteorologëve, stuhia mund të quhet “historike”, sepse pritet që të sjellë sasi të jashtëzakonshme të borës në mes të prillit, e madje edhe që të rrëzojë disa rekorde.

Shpejtësia e erërave tashmë arrin më shumë se 80 kilometra në orë. Paralajmërime për mot të rrezikshëm janë dhënë për të paktën gjashtë shtete nga Kolorado deri në Minesota.

Institucionet shtetërore në Dakotan Jugore janë mbyllur, shkollat gjithashtu nuk punojnë. Shumë amvisëri nuk kanë energji elektrike. Në shtet është shënuar edhe fenomen i rrallë i borës me bubullima.

Në Minesota, Garda kombëtare është në gjendje të gatishmërisë së rritur që të ndihmojë nëse situata përkeqësohet dhe njerëzit gjenden në vështirësi. fc/

Pendarovski: Nuk ka shtet evropian i cili e ka ulur trendin e shpërnguljes së të rinjve

0

Të rinjve në shtetin tonë duhet të jepet mundësi dhe perspektivë, ndërsa përpjekjet tona për hyrje më të shpejtë në strukturat euroatlantike dhe hapat që deri më tani janë marrë, janë drejti i vërtetë në të cilin do të vazhdojmë të lëvizim, tha kandidati presidencial Stevo Pendarovski në takimin e sotëm me të rinjtë e Koçanit.

“Hapja e fondeve inkuadruese evropiane, mundësi për mobilitet më të madh në arsim, punë praktikë dhe arsimim të mëtejshëm në vendet evropiane janë vetëm një pjesë e perspektivave për të rinjtë. Pres ata të japin mbështetje maksimale opsionit të tillë, sepse gjithçka tjetër do të ishte e rrezikshme dhe në këtë që tani e kemi arritur. Për personat e rinj të cilët janë në fillimin e karrierës së tyre jashtëzakonisht është me rëndësi është të jenë pjesë e këtyre proceseve dhe përfundimisht, pas tranzicionit tridekadësh, edhe ata të bëhen pjesë e një tregu më të gjerë evropian të punës dhe diturisë, një një rreth të gjerë kulturor në të cilin edhe vetë do të mund të realizohen. Dëshirojmë fillimisht t’u jepet mundësi këtu, por edhe përmes shkëmbimit të informacioneve dhe përvojave me moshatarët e tyre të shteteve evropiane të përparojnë shumë shpejt”, theksoi Pendarovski.

Pendarovski shtoi se është i vetëdijshëm se shpërngulja e të rinjve është theksuar në dhjetë vitet e fundit, veçanërisht në rajonin lindor të shtetit.

Dogana e shënoi 27 vjetorin – paralajmëroi risi në punë

0

Përshpejtim të procedurës së operatorëve ekonomik dhe zvogëlim të shpenzimeve të tyre në procedurat doganore, u premtoi drejtori i Drejtorisë doganore Gjoko Tanasoski me sistemin e ri që do të fillojë të funksionojë nga qershori i këtij viti, ndërsa i cili do të krijojë kontroll doganor më efikas dhe më modern në pajtim me zhvillimin global dhe erën digjitale.

“Vitin e fundit Drejtoria doganore filloi kapitull të ri në punën e saj, ishte finalizuar zhvillimi i Sistemit për përpunimin e deklaratave doganore dhe dokumentet aksionare që do ta zëvendësojë sistemin e tanishëm ASIKUDA. Me atë, të gjitha procedurat doganore që deri tani u realizuan në letër do të zëvendësohen me procedura elektronike. Me implementimin e sistemit të ri, i cili paraqet parakusht për zhvillim të mëtutjeshëm të zgjidhjeve digjitale dhe shërbimeve, dukshëm do të thjeshtësohet puna e nëpunësve doganor, agjencive kufitare për të gjithë pjesëmarrësit në procedurën doganore dhe të jashtme tregtare dhe do të krijohet rrethinë doganore më efikase dhe më moderne në pajtim me zhvillimin global dhe erën digjitale”, theksoi Tanasoski në shënimin e sotëm të 27 vjetorit të ekzistimit të Doganës dhe Ditës së Doganës.

Theksoi se dogana është në rrugën e vërtetë duke theksuar se në vitin që kaloi ka rritje në pagesën e të ardhurave doganore për 11 për qind.

“Drejtoria doganore sipas të gjitha bazave ka paguar të ardhura prej 1,43 miliard euro me ç’rast nga dogana janë paguar 5,6 miliard denarë të cilat kanë rritje prej 8,3 për qind, nga TVSH-ja 49,11 miliard denarë dhe 12,5 për qind rritje, nga akcizat 28,8 miliard denarë dhe 9,3 për qind rritje”, potencon Tanasoski, duke shtuar se ky është rezultat i disiplinës së rritur financiare, bashkëpunimit me institucionet të cilat kryejnë kontroll në tregun e brendshëm…

Zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi theksoi se Drejtoria Doganore në vitin 2018 me arritje të këtyre rezultateve me sukses e realizon njërin nga funksionet e saj bazë – ruajtjen e interesave financiare të shtetit.

“Krijimi i klimës së volitshme të biznesit është kyç për zhvillimin ekonomik. Puna jonë është të mundësojmë sistem të sigurt, të drejtë dhe të përmbajtur. Këtu njërin nga rolet kryesore e ka edhe Drejtoria doganore”, tha Elezi dhe shtoi se përpjekja e Qeverisë është ruajtja dhe përparimi i marrëdhënieve me bashkësinë afariste.

Qeveria do të vazhdojë me përkrahje të të gjitha instrumenteve dhe nismave për përkrahje të drejtorisë doganore, tha kryeministri Zaev i cili shtoi se duhet të shqyrtohen të gjitha mundësitë që i ofrojnë veglat e reja digjitale.

“Dogana duhet të bazohet në proceset automatike për përpunimin e të dhënave që duhet të kontribuojë për pagesë më të mirë të të ardhurave, analizë më të mirë të rrezikut, siguri më të madhe dhe zvogëlim të rreziqeve”, tha kryeministri.

Potencoi edhe në përfitimet nga vendosja e doganimit të përbashkët në vendkalimet kufitare. sa/

Bejta në Çajlë: Ishte durimi, sakrifica dhe largpamësia e Ali Ahmeti që të arrijmë deri këtu

0

Bashkimi Demokratik për Integrim, dega në Gostivar, në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale të mërkurën qëndroi në Çajlë, nga ku nënkryetari i BDI-së njëherit dhe Kryetar dege, z. Nevzat Bejta, nga afër njoftoi banorët e këtij lokaliteti me rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, dhe veçmas konceptin e kandidatit konsensual që ishte ide e BDI-së që nga viti 2014.
“Në këto zgjedhje ne votojmë vetveten, ne votojmë kandidatin që publikisht deklarohet se shqiptarët i llogarit si të barabartë në këtë shtet. Pendarovski ka përkrahjen e ndërkombëtarëve dhe është kordinator për integrimin të RMV-së në NATO. Ne nuk e votojmë Siljanovskën sepse është kundër NATO-s dhe BE-së, por as edhe kandidatin Blerim Reka i cili ka dalur që të pengon kandidatin e përbashkët dhe është vënë në shërbim të VMRO-DPMNE-së. Me votën për Pendarovskin ne nderojmë vetveten dhe ndërkombëtarët”, deklaroi Bejta.

Kemi kandidatin e përbashkët konsensual, tha Bejta, i cili përkrahet nga partitë pjesëmarrëse në qeveri i cili deklaron hapur për mbështetje të procesit integrues të vendit në NATO dhe BE.
“Ishte durimi, sakrifica dhe largpamësia e liderit, z. Ali Ahmeti që pas një procesi të gjatë gati 20 vjeçar sot një nga tre postet kryesore të shtetit të drejtohen nga një shqiptar. Ishte sakrifica e liderit tonë që solli deri te këto ndryshime. Ishte durimi dhe zgjuarsia e tij që sot qeveria dhe parlamenti të flasin shqip. Me presidentin konsensual, edhe presidenca do të frymon shqip”, vijoi Bejta.


Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe anëtarë të Shtabit Komunal Zgjedhor të degës së BDI në Gostivar, në krye me z. Bashkim Hasani.

OSMANI: INTEGRIMI EVROPIAN HAP MUNDËSI TË REJA PËR ZHVILLIM TË BIZNESIT

0

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani mbajti takim me Kryetaren e Asociacionit Evropian të Biznesit (AEB), Katerina Boshevska.


Në takim u hapën temat lidhur me integrimet evropiane të vendit dhe statusi i reformave të zbatuara nga aspekti i mundësive dhe potencialeve që i kanë në dispozicion për biznes në kuadër të tregut të vetëm evropian, si dhe përmirësim i zhvillimit të tyre në kontekst të stabilizimit të gjendjes politiko-ekonomike në vend në dy vitet e fundit.


“Integrimi i caktuar evropian i vendit kontribuon në përmirësimin e klimës së biznesit në vend me implementimin e standardeve evropiane dhe vlerave në punën e sektorit të biznesit, ku ka ndikim pozitiv edhe në avancimin e marrëdhenieve ekonomike me BE-në, duke siguruar përfitime të ndërsjella për bizneset”, theksoi Zëvendëskryeministri Osmani. ”Nga ky aspekt, roli i AEB në procesin euro- integrues pres që në mënyrë plotësuese të kontribuoj për përafrimin e praksave të bizneseve të maqedonisë deri tek rrethi i biznesit evropian”, shtoi Osmani.


Në vazhdim të takimit Zëvendëskryeministri Osmani dhe Kryetarja Boshevska, diskutuan edhe për mundësinë për angazhim të drejtëpërdrejtë të AEB në përmirësimin e pjesës të shfrytëzimit të fondeve të BE-së që janë në dispozicion për kompanitë e maqedonisë me qëllim të nxitjes së zhvillimit të ndërmarrësisë, si dhe në përgjithësi bashkëpunim më të ngushtë të Asociacionit me Sekretariatin, dhe në përgjithësi me institucionet Qeveritare.

Ish prokurori amerikan ligjëroi në Fakultetin Juridik të UT-së

0

Ish prokurori amerikan ligjëroi në Fakultetin Juridik të UT-së
Universiteti i Tetovës është shndërruar në institucion të admiruar për shumë ligjërues të profileve të ndryshme, si nga vendi po ashtu edhe nga arena ndërkombëtare. Si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjeve dhe memorandumeve për bashkëpunim me universitete prestigjioze, institute kërkimore – shkencore dhe institucione të tjera, në Universitetin tonë para studentëve tanë, tashmë mbajnë ligjërata profesorë eminentë, personalitete publike që kanë ushtruar funksione të larta shtetërore në vendet prej nga vijnë.


Një personalitet i këtij niveli është edhe Stephen Herm, ish prokuror i Washington D.C, i cili më 10 prill 2019, para studentëve të Fakultetit Juridik mbajti ligjëratë, me temë: “Juristët, drejtësia dhe e drejta”.
Ish prokurori amerikan në ligjërimin e tij u fokusua në aspektet praktike të zbatimit të së drejtës në SHBA, ku sipas tij, rol pothuaj të njëjtë i kushtohet punës së gjykatës dhe paralelisht me të edhe punës së organeve zbatuesve të ligjit, siç janë policia dhe prokuroria.


Ligjërata e Stephen Herm u përcoll me interes nga studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit tonë, të cilët parashtruan disa pyetje për funksionimin e sistemit juridik në SHBA dhe kërkuan opinionin e tij për situatën dhe sundimin e së drejtës në Maqedoninë e Veriut.


Studentët e UT-së mbajtjen e ligjëratave të tilla e vlerësojnë të dobishme për thellimin e njohurive të tyre profesionale dhe për të mësuar nga përvoja e drejtuesve të shteteve me demokraci të zhvilluar.