Shkruan / Isak Tusha – veteran i UÇK-së, i burgosur politik dhe aktivist shoqëror
Shoqëria jonë po përballet me një sfidë të rrezikshme: radikalizmin fetar, pa dallim se nga cila fe apo drejtim buron. Ky fenomen nuk është vetëm problem individual apo fetar, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për rendin, sigurinë dhe bashkëjetesën shoqërore. Fatkeqësisht, institucionet tona shpesh nuk e trajtojnë këtë çështje me seriozitetin që meriton. Kërkohet veprim konkret dhe i koordinuar: krijimi i instituteve shkencore dhe strukturave të specializuara që do të analizojnë, studiojnë dhe adresojnë rrënjët e radikalizmit. Kjo nuk është vetëm një çështje fetare – është një çështje shtetërore dhe kombëtare. Shoqëria jonë nuk mund të qëndrojë indiferente. Heshtja jonë sot do të jetë kosto e madhe nesër. Radikalizmi nuk parandalohet pasi ndodhin aktet ekstreme, por duke vepruar paraprakisht – në shkolla, në komunitete, në bashkësitë fetare dhe në sistemin e drejtësisë. Shpesh dëgjojmë manipulime me shifra si “95% e popullsisë është myslimane”, por ajo që harrohet është se edhe një përqindje e vogël e ekstremizmit mund të ketë pasoja të rënda. Nuk kemi të bëjmë me shumicë apo pakicë fetare – kemi të bëjmë me një rrezik real që kërkon reagim të matur dhe të vendosur. Fatmirësisht, në vendin tonë ka hoxhallarë dhe priftërinj që janë të përkushtuar ndaj vlerave kombëtare dhe shoqërore. Me ta, mund të ndërtojmë një bashkëpunim të shëndetshëm për edukimin dhe vetëdijesimin e të rinjve, duke promovuar një fe të paqes dhe të respektit për tjetrin. Radikalizmi nuk luftohet vetëm me burgje dhe ndëshkime – luftohet me dije, edukim, bashkëpunim institucional dhe angazhim të sinqertë shoqëror. Është koha të veprojmë, përndryshe do ta paguajmë çmimin të gjithë, pa dallim.







