Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, i ka bërë thirrje Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore që të anëtarësohen në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë (EEU).
Sipas IBNA, përcjell Telegrafi, diplomati rus ka theksuar se këto dy vende do të gjejnë mirëkuptim më shpejt në EEU sesa brenda BE-së.
“Jam i sigurt që vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE, së fundmi janë vënë ‘në akull’ nga Brukseli, ato mund të gjejnë më shumë mirëkuptim në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë”, tha Chizhov.
Ftesa e Rusisë për vendet e Ballkanit që të anëtarësohen në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë vjen vetëm disa ditë pas një vendimi negativ të presidentit francez Emmanuel Macron për të vënë veton ndaj datës për fillimin e negociatave për pranim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Bashkimi Ekonomik i Euroazisë është themeluar në vitin 2014 dhe në këtë organizim marrin pjesë Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Kirghistani.
Presidenti Macron gjatë një prononcimi për media kishte thënë se shumica e vendeve ishin kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, por vetëm disa kundër Maqedonisë së Veriut.
Ai ka shtuar se hapja e negociatave vetëm për Maqedoninë e Veriut, duke lënë anash Shqipërinë, do të ishte e tmerrshme për rajonin.
“Besoj se hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut, duke lënë mënjanë Shqipërinë, do të ishte diçka e tmerrshme për rajonin. Ndaj nuk ishte serioze. I vlerësoj përpjekjet e ndërmarra nga Rama dhe Zaev. Ata kanë bërë punë, ne duhet të bëjmë tonën gjithashtu, por le të mos gënjejmë vetveten. Ne kemi nevojë për progres të proceseve tona bashkë me ata”, ishte shprehur ai.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian kishte refuzuar të hap negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. /Zhurnal.mk /