Njëmbëdhjetë njerëz e kanë humbur jetë dhe më shumë se 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri që shpërtheu në katin e shtatë të një shtëpie pleqsh në Tuzlla mbrëmjen e së martës, njoftuan të mërkurën autoritetet në kantonin e Tuzllës në Bosnje.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por autoritetet e kanë nisur një hetim në vendin e ngjarjes. Drejtori i shtëpisë së pleqve, Mirsad Bakalloviq, dha dorëheqje një ditë pas zjarrit. Në një njoftim zyrtar disa orë pas zjarrit, shtëpia e pleqve konfirmoi numrin e të vdekurve dhe të lënduarve, dhe shtoi se të lënduarit po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës.
Sipas saj, mes të lënduarve ka edhe oficerë policie, zjarrfikës, punonjës mjekësorë dhe punonjës të shtëpisë së pleqve në Tuzlla. Një numër i madh zjarrfikësish morën pjesë në shuarjen e zjarrit, ndërsa në vendngjarje shkuan edhe policia dhe shërbimet e emergjencës.
Kryeministri i kantonit të Tuzllës, Irfan Halilagiq, i tha shërbimit publik të Bosnjës se po kërkohet një zgjidhje për strehim të përkohshëm për banorët e shtëpisë. Kryeministri i Federatës së Bosnjës, Nermin Nikshiq, njoftoi për televizionin boshnjak se Qeveria do të marrë pjesë në rindërtimin e shtëpisë dhe kujdesin për banorët e saj.
“Në periudhën e ardhshme, ne do të formojmë një ekip të Qeverisë së Bosnjës që do t’i vizitojë institucionet nën juridiksionin e Bosnjes dhe do t’u kërkojë autoriteteve të kantoneve të bëjnë të njëjtën gjë për institucionet nën juridiksionin e tyre, kur të ndodhë diçka e tillë, në mënyrë që të mos japin informacione të përgjithshme. Sonte dëgjuam shumë informacione nga banorët. Sidoqoftë, duhet të presim për të parë se çfarë e shkaktoi saktësisht tragjedinë”, tha Nikshiq.







