Të tjera lajme

PARKU KOMBËTAR “MALI SHARR” DHE SFIDAT ME DEPONITË ILEGALE

Mali Sharr, i shpallur si Park Kombëtar, po përballet me një realitet të hidhur në terren. Në vend të peizazheve të paprekura, në fshatin Brodec dhe përgjatë lumit Shkumbin, qytetarët ndeshen me deponi ilegale dhe mbeturina të ngurta. Edhe pse autoritetet komunale kanë nisur aksione pastrimi, mungesa e një zgjidhjeje afatgjatë po e mbyt natyrën në mbetje ndërtimore.

Edhe pse zyrtarisht mbrohet si Park Kombëtar, realiteti në terrenin e Malit Sharr flet për një katastrofë mjedisore. Pamjet në afërsi të fshatit Brodec janë dëshmi e një neglizhence totale: divane të vjetra, mbeturina shtëpiake dhe materiale të ngurta ndërtimore kanë “pushtuar” shtratin e lumit Shkumbin.

Edhe pse kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pranon situatën alarmante, ai thekson se aksionet e thjeshta nuk mjaftojnë përballë kësaj ndotjeje masive.

 BILALL KASAMI – Kryetar i Komunës së Tetovës

“Jemi këtu për të bërë pastrimin e kësaj zone nga mbeturinat. Edhe vetë nga pamjet në terren u konstatua se ka nevojë për një ndërhyrje më serioze dhe për veprime në drejtim që edhe kjo zonë dalëngadalë t’i rikthehet bukurisë që ia ka falë Perëndia, dhe që qytetarët e banorët e zonës të mund që mbetjet edhe komunale edhe inerte t’i menaxhojnë edhe t’i hedhin aty ku duhet dhe jo në çdo vend, me çka edhe ndotet ambienti.”

Nga ana tjetër, reagimi i drejtorisë së Parkut Kombëtar “Mali Sharr” duket i pafuqishëm.

Drejtori Evzal Elmazi konfirmon se nuk është shqiptuar asnjë dënim, duke e arsyetuar këtë me mungesën e alternativave për banorët, një qëndrim ky që praktikisht lë fushë të lirë për ndotësit.

 EVZAL ELMAZI – Drejtori Parkut Mali Sharr

“Është një problem që kërkon një zgjidhje gjithëpërfshirëse, një zgjidhje afatgjatë, sepse nuk është qëllimi tash të fillojmë me dënimet. Bëhet fjalë për 27 vendbanime në territor të parkut dhe sidomos fshatrat e Malësisë ballafaqohen me probleme të kësaj natyre. Pra, do të jemi në vazhdimësi në komunikim edhe me Komunën e Tetovës, po ashtu edhe me Ministrinë e Mjedisit, që të gjendet një zgjidhje afatgjatë. Sepse nuk është qëllimi tash të pastrohet e pas një muaji prapë të kemi të njëjtat grumbullime mbeturinash. Mendoj se dënimet nuk do të kenë rezultat nëse nuk gjendet një alternativë për këta qytetarë se ku t’i hedhin ato mbeturina.”

Mungesa e një deponie zyrtare për materiale të ngurta në Tetovë dhe komunat përreth ka krijuar një situatë ku banorët dhe kompanitë private, në mungesë të alternativave, zgjedhin t’i asgjësojnë mbetjet e tyre direkt në natyrë apo në rrjedhën e lumit Shkumbin.

Kjo plogështi institucionale po e shndërron njërën nga zonat më të bukura malore në një deponi gjigante në qiell të hapur.

Ndryshe në këtë aktivitet pastrimi, morën pjesë zëvendës ambasadori i Austrisë në Maqedoni, përfaqësues të “Vikendit Gjeneral”, kompanisë Saubermacher, Njësiti i ARMV, Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, NPK dhe banorët e fshatit Brodec./Tv Koha/

Të fundit