Të tjera lajme

ZGJEDHJE: FOLI MICKOSKI, VLEN KUNDËR, KURTI ZBARKON NË SHKUP?!

HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër

“Por lajmi i mirë është se së shpejti do të ketë zgjedhje, pas atyre zgjedhjeve do të ndodh që partia që ai e udhëheq të margjinalizohet”

Kjo deklaratë e Kryeministrit Mickoski ndezi skenën politike në vend.

Derisa pritet rikonstruimi i Qeverisë, që duhet të ndodh në fund të Majit ose në Qershor, nga Qeveria mbërritën deklarata që hapin dilema të reja.

Lideri socialdemokrat, Venko Filipçe, e mirëpriti këtë deklaratë. Thotë se janë të gatshëm të zgjedhje kurdo të mbahen.

VENKO FILIPÇE – LSDM

“E dëgjova deklaratën dhe supozoj se bëhet fjalë për zgjedhje parlamentare, për shkak se mungojnë paratë dhe nuk kanë cfarë të bëjnë tani. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, kurdo të ndodhin”

BDI vazhdimisht kërkon që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, me retorikën se VLEN nuk ka legjitimitet të jetë pjesë e Qeverisë.

ALI AHMETI – Kryetar i BDI-së

“Unë kam kërkuar që në ditën e parë zgjedhje të parakohshme, por s’është befasi. Nesër me pas zgjedhje jam i gatshëm sigurisht”

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit mbështet dhe inkurajon kryeministrin e vendit që sa më parë t’i bëjë thirrje kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për të mundësuar lehtësimin dhe debllokimin e procesit eurointegrues të vendit, i cili po mbahet peng nga kjo qeveri – thonë përmes një komunikate.

“Për shqiptarët zgjedhjet janë shpëtimi i vetëm nga përfaqësuesit e pafuqishëm të shqiptarëve VLEN, të cilët kanë tradhëtuar rëndë pritshmëritë e shqiptarëve.VLEN mori përgjegjësinë për të hequr balancuesin dhe e zëvendësoi atë me një ligj skandaloz për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke penguar reformën e vërtetë” – thonë nga ASH-ja e Taravarit.

VLEN është kundër zgjedhjeve. Sipas tyre, koalicioni është në fazën përfundimtare të bashkimit në një subjekt të vetëm politik, duke e forcuar edhe më tej pozitën e tij si forcë dominuese në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Kësisoj, sic thonë nga VLEN, edhe zyrtarisht konfirmohet si forca e dytë politike në vend.

VLEN

Qeveria ka shumicë stabile dhe të konsiderueshme, me tendencë që të zgjerohet edhe më tej. Edhe rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale e dëshmojnë qartë këtë, pasi VLEN fitoi 10 komuna, përkatësisht rreth 80% të komunave me shumicë shqiptare. Kjo është dëshmi e qartë dhe e padiskutueshme se ku qëndron besimi i qytetarëve. Vlerësojmë se fokusi kryesor duhet të jetë realizimi i politikave që përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve dhe forcojnë funksionet shërbyese të pushtetit ekzekutiv.

Pikërisht në ditën kur u ndez retorika e zgjedhjeve, në Shkup zbarkoi lideri I Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Mirëseardhje i dëshiruan dy liderët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.

Së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të VLEN-it, kanë ndjekur shfaqjen “Përtej Hekurave” në Teatrin Shqiptar në Shkup.

Siç u prononcuan përmes rrjeteve sociale, shfaqja solli para publikut një mesazh të fortë mbi lirinë dhe mendimin, duke theksuar se ato nuk mund të mbyllen “pas hekurave”. Në skenë u ndërthurën figurat e Ismail Kadare dhe Ukshin Hoti, duke rikthyer vëmendjen te pesha e fjalës dhe qëndresës./Tv Koha/

Të fundit