Të tjera lajme

“KAOS” NË REAL MADRID PARA NDESHJES ME BARCELONËN!

Tronditje në kampin madrilen vetëm tre ditë para derbit të madh me Barcelonën. Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht se ka nisur procedurë disiplinore ndaj Valverdes dhe Çuamenit, pas një incidenti serioz fizik që ndodhi gjatë dhe pas stërvitjes së djeshme.
 

Konflikti Valverde – Çuameni kishte nisur që të mërkurën. Gjithçka filloi në fushë, vazhdoi edhe në zhveshtore, ku debati përfundoi në përleshje fizike.

Sipas raportimeve, gjatë konfliktit Valverde ra dhe goditi kokën në një tavolinë në zhveshtore. Për shkak të seriozitetit të goditjes, mesfushori uruguaian u dërgua menjëherë në spital për ekzaminime shtesë.

Edhe pse lojtari është liruar për trajtim në shtëpi dhe ndodhet në gjendje stabile, protokollet mjekësore kërkojnë pushim të detyrueshëm prej 10 deri në 14 ditësh. Kjo do të thotë se Valverde do ta humbasë me siguri “El Clasicon” e së dielës në “Camp Nou”, ndeshje në të cilën Barcelona mund ta sigurojë matematikisht titullin në La Liga.

Përmes një deklarate zyrtare, Valverde ka mohuar përplasjen fizike.

Në reagimin zyrtar, “klubi mbretëror” theksoi se nuk do të tolerojë sjellje të tilla:

“Real Madridi njofton se pas ngjarjeve të ndodhura këtë mëngjes është hapur procedurë disiplinore ndaj lojtarëve tanë Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni. Klubi do të informojë publikun pas përfundimit të procedurave të brendshme.”

Ky incident shihet si vazhdim i atmosferës së tensionuar brenda skuadrës madrilene.

Kohët e fundit janë raportuar edhe konflikte të tjera mes lojtarëve, përfshirë përplasje ku janë përmendur Antonio Rudiger dhe Kylian Mbappe.

Sipas mediave spanjolle, drejtori i përgjithshëm Jose Angel Sanchez është shokuar nga sjellja e futbollistëve vetëm pak ditë para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit.

Në prag të El-Klasikos, tema kryesore tek tifozët e Real Madridit është peticioni online që kishte nisur më herët, nëse duan që Kilian Mbappe të largohet nga “Mbretërit”. Qëllimi ishte të arrihen 200.000 nënshkrime, por peticioni u bë më viral se sa që pritej dhe tashmë ka 2.8 milion nënshkrime, të tifozëve që pajtohen që Mbappe të largohet nga “Santjago Bernabeu”.

Të fundit