Të tjera lajme

Lufthansa tërhiqet nga Aeroporti i Shkupit pas më shumë se tre vitesh fluturime nga Frankfurti

Kompania ajrore gjermane Lufthansa do t’i japë fund fluturimeve direkte ndërmjet Frankfurtit dhe Shkupit, pas më shumë se tre vitesh operimi të kësaj linje.

Fluturimet pas 31 majit nuk figurojnë më në sistemin e rezervimeve, as për sezonin veror dhe as për atë dimëror, i cili nis në fund të tetorit. Në vend të tyre, kompania do të ofrojë lidhje alternative për në Shkup përmes Vjenës, në bashkëpunim me Austrian Airlines, e cila është pjesë e Grupit Lufthansa.

Linja Frankfurt–Shkup operonte nga shtatë deri në dhjetë herë në javë, varësisht nga periudha e vitit. Gjatë sezonit dimëror, frekuenca ishte reduktuar në vetëm tre fluturime në javë.

Fluturimi i parë i Lufthansa-s në këtë linjë u realizua më 23 prill 2023. Kompania kishte përfituar subvencione nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të cilat e obligonin të operonte këtë destinacion deri më 31 dhjetor 2025.

Sipas raportimeve, vendimi për ndërprerjen e fluturimeve lidhet me disa faktorë, përfshirë grevat e ekuipazhit gjatë muajit prill, mbylljen e degës CityLine dhe bllokimin e 27 avionëve, si dhe pasiguritë rreth rritjes së çmimit të karburantit për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Lufthansa ka bërë ndryshime të mëdha në orarin e saj të fluturimeve nga bazat kryesore në Frankfurt dhe Mynih. Vetëm gjatë muajit qershor janë shkurtuar mbi 900 fluturime në javë, ndërsa për korrik, gusht dhe shtator janë planifikuar rreth 250 fluturime më pak se sa ishte parashikuar fillimisht.

Në kuadër të konsolidimit të Grupit Lufthansa, ku bëjnë pjesë edhe Austrian Airlines, Swiss, Brussels Airlines dhe së fundmi ITA Airways, po anulohen linjat e shkurtra dhe ato që nuk gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme. Si rezultat, nga rrjeti i kompanisë është hequr edhe linja Frankfurt–Shkup.

Edhe Croatia Airlines po bën shkurtime të konsiderueshme. Nga kjo vjeshtë, fluturimet e natës nga Zagrebi drejt Shkupit nuk do të jenë më të disponueshme. Në vend të 11 fluturimeve të planifikuara në javë, kjo linjë do të operojë vetëm katër herë në javë.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, TAV Macedonia, koncesionari i aeroporteve të Shkupit dhe Ohrit, ka regjistruar rritje rekord të trafikut të pasagjerëve.

Sipas njoftimit të publikuar më 11 maj, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti i Ohrit “Shën Pali Apostull” e kanë përmbyllur katërmujorin e parë të vitit 2026 me një rritje prej 32.4 për qind të numrit të pasagjerëve, duke shërbyer gjithsej 1.2 milionë udhëtarë.

Të fundit