Rеagim i ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, për protestat lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas tij, është e papranueshme që tema të ndjeshme, të cilat prekin drejtpërdrejt sistemin juridik, të përdoren për mbledhje pikësh politike ose për krijim tensionesh ndëretnike.
Reagoj ashpër ndaj përpjekjes që provimi i jurisprudencës të shndërrohet në fushë për presion politik dhe konfrontim etnik – thuhet në reagimin e Ministrit Filkov.
Sipas tij, Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje e profesionalizmit, ekspertizës dhe respektimit të rendit juridik të shtetit. Përpjekjet që detyrimi ligjor për njohjen e gjuhës maqedonase të paraqitet si diskriminim, sipas Filkovit, janë manipulim i rrezikshëm me opinionin publik dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues.
Gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe themel i sistemit institucional dhe juridik – shprehet Ministri i Drejtësisë, për të vazhduar se Provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas agjendave ditore politike apo presioneve nga rruga. E drejta për protestë është e drejtë demokratike, por askush nuk ka të drejtë që përmes protestave të dhunshme të kërkojë rrënimin e kritereve dhe standardeve në gjyqësor.
Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional të argumentuar, por nuk do të lejojë zhvlerësimin e sistemit të drejtësisë, as minimin e rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional.
Gjuha maqedonase nuk është pengesë — ajo është obligim, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit – thotë në reagimin e tij, Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov./Tv Koha/







