Të tjera lajme

Hasime Jashari mbrojti me sukses disertacionin e doktoratës me titull: “Diversiteti i llojeve dhe ekologjia e makromiceteve në ekosistemet halore të Malit Sharr”

Në Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore në Shkup, më 19 maj 2026, Hasime Jashari mbrojti me sukses disertacionin e doktoratës me titull: “Diversiteti i llojeve dhe ekologjia e makromiceteve në ekosistemet halore të Malit Sharr”

Hasime Jashari ka lindur më 13 janar 1987 në Tetovë, Republika e Maqedonisë së Veriut. Arsimin fillor e ka përfunduar në shkollën fillore “Ismail Qemali” në vitin 2001, ndërsa arsimin e mesëm në Shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë, në periudhën 2001–2005.

Në vitin 2005 është regjistruar në studimet e Biologjisë në Universitetin e Tetovës, të cilat i ka përfunduar me sukses në vitin 2009. Studimet pasuniversitare – Magjistër i Biologjisë, drejtimi Botanikë – i ka përfunduar në vitin 2019.

Aktualisht është e punësuar si mësimdhënëse e biologjisë dhe shkencave natyrore në Shkollën fillore “Simçe Nastovski” në Vratnicë, Tetovë.
Veprimtaria e saj shkencore dhe arsimore është e orientuar drejt mikologjisë, mbrojtjes së biodiversitetit, STEM edukimit, ndërgjegjësimit ekologjik dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në kuadër të hulumtimeve të doktoraturës studion diversitetin dhe ekologjinë e makromiceteve në ekosistemet halore të Malit Sharr, duke kontribuar me të dhëna të reja për mikodiversitetin në Maqedoninë e Veriut.

Është aktive në iniciativa shkencore dhe arsimore ndërkombëtare dhe mban titullin ambasadore e Scientix për periudhën 2024–2026 pranë European Schoolnet Academy, si dhe ambasadore e Science on Stage North Macedonia, ku promovon metoda inovative të mësimdhënies dhe mbështet mësimdhënësit në zbatimin e praktikave bashkëkohore STEM në arsim.
Hasime Jashari ka marrë pjesë në konferenca, trajnime dhe projekte të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut, Poloni, Itali, Finlandë, Zvicër, Letoni, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Gjithashtu ka mentoruar nxënës në projekte interkulturore dhe ndëretnike, duke përfshirë aktivitete në kuadër të Pestalozzi Programme në Zvicër.


Përveç kësaj, ka ndjekur trajnime të shumta ndërkombëtare përmes European Schoolnet Academy dhe programeve Erasmus+, të lidhura me arsimin inovativ, kompetencat digjitale, zhvillimin e empatisë, arsimin inkluziv, qëndrueshmërinë dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Në vitin 2024 ka marrë pjesë në një trajnim Erasmus+ në Letoni, kushtuar komunikimit jo të dhunshëm dhe zhvillimit të empatisë në arsim.
Hasime Jashari është autore dhe bashkautore e disa punimeve shkencore dhe publikimeve arsimore në fushën e mikologjisë, STEM edukimit dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor. Ka koordinuar dhe marrë pjesë në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të mbështetura nga Erasmus+, eTwinning, British Council, GIZ, FITR, CNVP dhe organizata të tjera. Projektet dhe aktivitetet e saj janë vlerësuar me disa çmime dhe mirënjohje kombëtare dhe evropiane në fushën e ekologjisë, inovacionit në arsim dhe STEM edukimit.

Të fundit