Të tjera lajme

Aksident tragjik në Maqedoninë e Veriut, viktima raportohet se është këngëtari operistik Riste Velkov, djali i tij dhe dy të tjerë

Dy 20-vjeçarë janë në mesin e viktimave të aksidentit të rëndë trafiku që ndodhi mbrëmë në unazën e Shkupit, konfirmoi MPB-ja.

Në aksident humbën jetën drejtuesi i veturës “BMV”, 51-vjeçari R.V. nga Shkupi, bashkëudhëtarët A.V. dhe P.M., të dy 20 vjeç, si dhe një person tjetër identiteti i të cilit ende po përcaktohet.

Sipas informacioneve nga MPB-ja, aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:00, në unazën e Qytetit të Shkupit, mes mbikalimit Vizbeg dhe nyjës Mirkovc.

Drejtuesi i një kamioni “MAN” me gjysmërimorkio dhe targa të Kosovës ka humbur kontrollin, ka kaluar mbi gardhin metalik në kahun e kundërt të autostradës dhe është përplasur drejtpërdrejt me veturën “BMV” me targa të Shkupit.

Nga përplasja e fuqishme ka shpërthyer zjarr në të dy automjetet, me ç’rast vetura e pasagjerëve dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht. Zjarri është shuar nga Brigada e Mbrojtjes Kundër Zjarrit në Shkup, ndërsa një mjek nga Ndihma e Shpejtë ka konstatuar vdekjen e katër personave në “BMV”.

Me urdhër të prokurorit publik, trupat e viktimave janë dërguar për obduksion. Drejtuesi i kamionit, 76-vjeçari B.B. nga Kosova, është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacion policor, ndërsa pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës.

Për shkak të kryerjes së ekspertizës, trafiku për më shumë se gjashtë orë ishte i ndërprerë dhe devijohej.

Qarkullimi në unazë është normalizuar plotësisht sot në orën 05:00./Tv Koha/

Të fundit