Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Marija S. Gjorgova, dje, në një atmosferë të këndshme dhe konstruktive, u takua me Grégoire Gisler, Drejtor i Institutit Francez të Kulturës në Shkup.
Në takim, Gjorgova dhe Gisler konfirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer deri më tani dhe marrëdhëniet tradicionalisht miqësore midis dy vendeve, si dhe gatishmërinë e ndërsjellë për thellimin e tyre të mëtejshëm.
Fokusi i bisedës ishte në aktivitetet dhe iniciativat e ardhshme në fushën e kulturës dhe turizmit, gjatë së cilës u konfirmua edhe nënshkrimi i ardhshëm i një Memorandumi Bashkëpunimi, teksti i të cilit është rënë dakord tashmë, midis Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Ambasadës së Republikës Franceze në Shkup.
Memorandumi parashikon promovimin e bashkëpunimit dypalësh përmes zbatimit të projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të artistëve dhe ekspertëve, bashkëpunimit midis institucioneve, mbështetjes në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si dhe promovimit të potencialit turistik të të dy vendeve.
Bashkëbiseduesit shprehën bindjen se ky bashkëpunim do të kontribuojë në një lidhje edhe më të fortë midis institucioneve, artistëve dhe punonjësve të kulturës, duke hapur mundësi të reja për projekte të përbashkëta, shkëmbim kulturor dhe afirmim të vlerave kulturore të dy vendeve mike.
Gjorgova: Maqedonia dhe Franca thellojnë bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe turizmit







