Organizatat qytetare u kanë bërë thirrje të gjithë deputetëve që të mos i mbështesin ndryshimet e propozuara në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse. Sipas tyre, me këto ndryshime nga zgjidhja ligjore përjashtohen organizatat qytetare, organizatat nacionale të personave me aftësi të kufizuara dhe Kryqi i Kuq, si subjekte të njohura që mund të përfitojnë mjete për punë me kategori të cenueshme.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për një ndryshim teknik. Ky është një precedent serioz që mund të ketë pasoja afatgjata për shoqërinë civile, mbrojtjen e kategorive të cenueshme dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagimin e organizatave.
Ata theksojnë se për dekada me radhë organizatat qytetare kanë ofruar mbështetje direkte për persona me aftësi të kufizuara, viktima të dhunës familjare dhe asaj me bazë gjinore, të moshuar, fëmijë, të rinj, gra, romë dhe komunitete të tjera në nevojë. Sipas tyre, këto organizata punojnë drejtpërdrejt në terren përmes këshillimoreve, qendrave ditore, strehimoreve dhe shërbimeve të tjera ku qytetarët kanë më së shumti nevojë për ndihmë.
Me ndryshimet e propozuara, organizatat paralajmërojnë se ekziston rreziku që mjetet e dedikuara për kategoritë e cenueshme të shpërndahen pa kritere të qarta, pa transparencë dhe pa përgjegjësi, duke mos garantuar se ato do të përfundojnë te organizatat me përvojë dhe ekspertizë.
“Nëse ka dobësi në sistemin aktual, zgjidhja nuk është përjashtimi i organizatave qytetare nga ligji. Zgjidhja është krijimi i një sistemi më transparent dhe më të përgjegjshëm, me thirrje publike, kritere të qarta, vlerësim të pavarur dhe monitorim të rregullt”, thuhet më tej në reagim.







