I pyetur se çfarë po ndodh me pronat publike në Tetovë dhe akuzat që vijnë nga opozita, Zv/Kryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, gjatë emisionit ON TIME në Tv Koha, u përgjigj me kundërpyetje se “Çfarë po ndodh me opozitën?”.
Sipas tij, në mungesë të vizionit dhe ofertës së vërtetë, opozita apo BDI-ja po mundohet të krijojnë një propagandë artificiale.
“Komuna e Tetovës si çdo Komunë tjetër, çdo vit kalon në Këshillin e Komunës, programin për pronat publike, që e kanë edhe detyrim ligjor. Edhe këtë vit ne e kaluam në Këshill, ashtu sikurse gjithë Komunat tjera, por kjo nuk do të thotë se këto prona do të shiten, aq më pak me 1 euro për metër katror. Po akuzon një opozitë që e ka shitur gjysmën e Tetovës” – tha Albi Qamili në On Time në Tv Koha.
Ai thotë se ka dokumente dhe fakte për këto pretendime.
“Ka shitur Monopolin 15.680 m2 me 5 euro për m2, do të thotë gjithë këtë pronë e ka shitur për 78.000 euro. Ka shitur, ju e dini historinë e famshme të SHIK “Jelakut” të serbo-malazezit Daka Davidoviq që shiti 6.000 m2 në vlerë prej 29.000 euro. Ajo që është më e dhimbshme 227.690 m2 të Teteksit ka shitur BDI-ja në kohën e saj për 4 euro për m2. Shiti “Aluminën” 25.000 m2 në vlerë prej 5 euro për 120.000 euro. Shiti “Interprometin”, një pjesë të tij, 3.750 m2 për 18.000 euro dhe e shiti fabrikën “Edinstvo” 28.000 m2 në vlerë 5 euro për metër katror gjithsejt 140.000 euro” – tha Albi Qamili.







