Dega e BDI-së në Tetovë akuzon udhëheqësit e Komunës së Tetovës për keqpërdorime me pronën publike. Sipas tyre, planet e kryetarit të Komunës, Bilall Kasami janë shitja e tokave publike për 1 euro metër katror. Ata numëruan disa parcela që sipas tyre janë plan për shitje, duke thënë se të gjitha këto informacione për siç thonë, keqpërdorime, do i adresojnë edhe në organet ndjekëse.
LINDITA ALIU – Zëdhënëse e BDI – Dega Tetovë
“Pas shitjes skandaloze të Monopolit për 1 euro metri katror dhe pas shitjes së parkingut te Tregu i Gjelbër për çmim qesharak, sot jemi dëshmitarë të “planit” më të rëndë dhe më të rrezikshëm për shitjen e pronës publike në Tetovë. Me propozim të Bilall Kasamit dhe me votat e shumicës VMRO–VLEN në Këshillin Komunal, është përgatitur dhe miratuar e ashtuquajtura Programë për menaxhim me tokën ndërtimore për vitin 2026, e cila parasheh shitjen e 21 parcelave, me mbi 56 mijë metra katrorë tokë publike. Në këtë listë janë hapësira me rëndësi për qytetarët: Parkingu te Vero, hapësira te Qendra Sportive, toka prej 38.000m2 në Saraqinë për vetëm 61 denarë për metër katror, si dhe parcelat në Reçicë të Vogël, ku banorët prej vitesh kërkojnë çerdhe për fëmijët e tyre. Kjo që ata po mubdohen të promovojnë si zhvillim ekonomik dhe menaxhim me tokën ndërtimore, paraqet në fakt grabitje e organizuar e pronës publike, dhe pasurim të individëve të afërt me pushtetin. Prona publike nuk është pronë personale e Bilall Kasamit dhe as e shumicës VMRO–VLEN”.
Pas kësaj dekarate, aktivistët e BDI-së filluan ngjitjen e disa fletushkave çka solli deri te një përplasje verbale mes tyre dhe sigurimin e komunës.
I pyetur se çfarë po ndodh me pronat publike në Tetovë dhe akuzat që vijnë nga BDI-ja, ku sipas tyre, parashihen për shitje 21 parcela, mbi 56 mijë m2 tokë publike, me çmime fillestare nga 1 deri 73 euro , Zv/Kryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, gjatë emisionit ON TIME në Tv Koha, tha se BDI-ja po mundohet të krijojnë një propagandë artificiale dhe se akuzat vijnë nga një opozitë, që sipas tij, ka shitur gjysmën e Tetovës. Ai thotë se ka dokumente dhe fakte për këto pretendime.
ALBI QAMILI – Zv/Kryetar i Komunës së Tetovës
“Ka shitur Monopolin 15.680 m2 me 5 euro për m2, do të thotë gjithë këtë pronë e ka shitur për 78.000 euro. Ka shitur, ju e dini historinë e famshme të SHIK “Jelakut” të serbo-malazezit Daka Davidoviq që shiti 6.000 m2 në vlerë prej 29.000 euro. Ajo që është më e dhimbshme 227.690 m2 të Teteksit ka shitur BDI-ja në kohën e saj për 4 euro për m2. Shiti “Aluminën” 25.000 m2 në vlerë prej 5 euro për 120.000 euro. Shiti “Interprometin”, një pjesë të tij, 3.750 m2 për 18.000 euro dhe e shiti fabrikën “Edinstvo” 28.000 m2 në vlerë 5 euro për metër katror gjithsejt 140.000 euro”
BDI – Dega Tetovë përmes reagimit i sugjeron, Zv/Kryetarit Albi Qamili, të mos bëhet pre e propagandës së porositur, sic thuhet, nga kumbari i shitjes së pronës publike në Tetovë, Adnan Azizi, si dhe nga ekzekutori i këtij krimi, Bilall Kasami. Ndërkaq nga udhëheqësia e Komunës thonë se ka qenë vetë BDI-ja në krye me Teuta Arifin që e kanë shitur gjysmën e Tetovës me çmime qesharake, në dëm të qytetarëve dhe në konto të individëve të caktuar./Tv Koha/







