Të tjera lajme

MICKOSKI: PROPOZIMI I MERZ – JEMI KURESHTARË T`I DËGJOJMË IDETË E REJA!

Për “non-paperin” e kancelarit gjerman Friedrich Merz për një dinamikë të re në zgjerimin e BE-së dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se nuk mund të flasë më shumë derisa kjo të bëhet zyrtare. Sipas Mickoskit, paralajmërimet e tilla të Merzit burojnë që nga Procesi i Berlinit vitin e kaluar në Londër.

“Këto ide dhe mendime jemi duke I dëgjuar një kohë të gjatë. Nuk mund të them asgjë derisa nuk bëhet zyrtare. Kancelari Merz paralajmëroi një zhvillim të këtillë të ngjarjeve që nga Procesi i Berlinit. Jemi kureshtarë të mësojmë më shumë se cila është ideja. Supozoj se kjo do të ndodhë në Samitin e ardhshëm në Tivat më 4 dhe 5 qershor. Me padurim pres t’i shoh këto koncepte dhe ide”

Për vizitën e paralajmëruar të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, kryeministri tha se deri tani kanë pasur biseda miqësore dhe se ai ka qenë gjithmonë konstruktiv për të gjetur “zgjidhje për kërkesën artificiale dhe bilaterale të një shteti anëtar ndaj Maqedonisë”.

“Jam i sigurt se gjatë pranisë së tij këtu do të shkëmbejmë më shumë ide se si mund të tejkalohet kjo çështje. Do të ishte jokulturore të pritej që qëndrimi të ndryshojë brenda natës, pasi nuk janë përmbushur parakushtet që ne i presim dhe i meritojmë”

Ndryshe, në letrën drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian, kancelari gjerman Merz propozon që Ukraina të marrë modelin e “anëtarësimit asociativ” si fazë kalimtare drejt anëtarësimit të plotë.

Ky model do të mundësonte pjesëmarrjen e përfaqësuesve ukrainas në punën e institucioneve të BE-së pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të legjislacionit evropian.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë, Merz propozon integrim të përshpejtuar dhe gradual përmes qasjes së privilegjuar në tregun e brendshëm të BE-së dhe përfshirjes më të afërt në institucionet evropiane.

Të fundit