Komisioni Rregullator për Energjetikë (RKE) ka miratuar një vendim të ri për çmimet me pakicë të derivateve të naftës, me të cilin nga mesnata benzinat shtrenjtohen, ndërsa nafta dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri pësojnë ulje të ndjeshme të çmimit.
Sipas vendimit, çmimet e benzinave Eurosuper BS-95 dhe Eurosuper BS-98 rriten për 0,50 denarë për litër krahasuar me vendimin e mëparshëm të 26 majit 2026.
Me këtë, çmimi i ri i Eurosuper BS-95 do të jetë 88 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 do të shitet me çmim prej 90 denarësh për litër.
Çmimi i Eurodizelit (D-E V) dhe i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) ulet për 6,50 denarë për litër.
Çmimi i ri i naftës do të jetë 85,50 denarë për litër, ndërsa ai i vajit ekstra të lehtë për amvisëri 87,50 denarë për litër.
Ulje ka edhe te mazuti M-1 NS, çmimi i të cilit ulet për 3,238 denarë për kilogram.
Sipas vendimit të ri, mazuti do të shitet me çmim prej 47,906 denarësh për kilogram.
Në përputhje me vendimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimet maksimale me pakicë të derivateve të naftës dhe karburanteve për transport janë:
• Eurosuper BS-95 – 88 denarë për litër
• Eurosuper BS-98 – 90 denarë për litër
• Eurodizel BS (D-E V) – 85,50 denarë për litër
• Vaj ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) – 87,50 denarë për litër
• Mazut M-1 NS – 47,906 denarë për kilogram
Kompania OКТА njoftoi sot se ka marrë vendim për një zbritje të përkohshme prej dy denarësh për litër për benzinat me 95 dhe 98 oktanë. Sipas kompanisë, e cila është furnizuesi më i madh në vend me naftë dhe derivate të naftës, zbritja do të fillojë nga nesër (2 qershor) dhe do të zgjasë deri më 16 qershor.
Qeveria, në mbledhjen e djeshme, e cila ishte paralajmëruar një ditë më parë nga kryeministri, mori vendim për vazhdimin e masës për uljen e akcizave të derivateve të naftës deri më 15 qershor dhe informoi se në bisedimet me OKTA-n ishte dakorduar një zbritje shtesë prej dy denarësh për litër, e cila do të fillonte të zbatohej nga 1 qershori, pra nga sot.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, deklaroi se pret stabilizimin e çmimeve të karburanteve, duke shtuar se vendi do të vazhdojë të ketë çmimet më të ulëta të derivateve të naftës në rajon.







