Të tjera lajme

AHMETI I PËRGJIGJET KURTIT: JE INFORMUAR GABIM PËR REALITETIN POLITIK NË MAQEDONI

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të bëra në një intervistë në lidhje me çështjen e gjuhës shqipe dhe protestat e studentëve, duke thënë se ai është informuar gabim për realitetin politik në Maqedoninë e Veriut.  Në një adresim nga Studeniçanit ku po takonte sturkturat atje, Ahmeti tha se shqetësimi i tij është kombëtar dhe jo partiak, duke theksuar se disa qëndrime po dëmtojnë arritjet historike të shqiptarëve. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Kurtit, Ahmeti vlerësoi rëndësinë historike të Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën tha se ka qenë baza e avancimit të të drejtave të shqiptarëve dhe një nga themelet e proceseve që lidhen me shtetësinë e Kosovës.

ALI AHMETI – Kryetar i BDI-së
“Të nderuar vëllezër e motra, sonte dua para jush të shpreh edhe një shqetësim, jo partiak, por kombëtar. Ca prej nesh në Shkup, por edhe në Prishtinë dhe Tiranë, me vetëdije ose jo, po ia bëjnë argatin të së keqës.” “I dashur Albin, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është gurthemeli edhe i planit të Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës. Për këtë marrëveshje, gjak derdhën edhe vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria.”

Ahmeti theksoi se marrëveshja, ndonëse kompromis, ka sjellë përfitime të mëdha për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ai kujtoi gjithashtu bashkëpunimin institucional me Kosovën gjatë kohës sa ishte pjesë e qeverisë.

ALI AHMETI – Kryetar i BDI-së
“Me këtë marrëveshje, unë e lash këtë vend me gjuhë shqipe zyrtare, me flamur kombëtar zyrtar, me tre universitete në gjuhën shqipe, me mbi 25 mijë administratorë shqiptarë, me Kryeministër shqiptar, me Kryeparlamentar shqiptar dhe me pafund institucione shtetërore të drejtuara nga shqiptarë.”  “Qeveria ime, Albin, të ftoi në Shkup për mbledhje të përbashkët ku fole shqip, edhe ti edhe ministrat e mi, nga fillimi gjer në fund. Qeveria ime e la të gatshme rrugën Shkup–Bllacë, kufirin e përbashkët me Kosovën, kalimin e kufirit me letërnjoftim, ndërtoi Korridorin 8, realizoi projektin për rrugën Tetovë–Prizren dhe ta dha ty të gatshëm para pesë viteve, bashkë me 11 marrëveshje tjera bilaterale.”

 Më tej, Ahmeti kundërshtoi deklaratat e Kurtit për respektimin e vullnetit të qytetarëve, duke thënë se koalicioni VLEN nuk përfaqëson shumicën e votuesve shqiptarë.

Sipas Ahmetit, mungesa e legjitimitetit politik ka pasoja të drejtpërdrejta për shqiptarët. Në fund të reagimit, lideri i BDI-së ngriti shqetësime për ndikimin serb në Maqedoninë e Veriut, duke kritikuar emërimin e Ivan Stoilkoviqit në postin e ministrit përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Të fundit