Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se në gjysmën e dytë të qershorit do të zhvillohen bisedime me partnerët e koalicionit qeveritar, ku do të shqyrtohen hapat e ardhshëm për funksionimin e Qeverisë dhe zgjidhjet e mundshme kadrovike.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, dhe rikonstruktimin e mundshëm të Qeverisë, Mickoski tha se bisedimet përfundimtare do të zhvillohen pas përfundimit të proceseve të brendshme partiake.
Ai theksoi se aktualisht vëmendja është përqendruar në riorganizimet dhe restrukturimet e brendshme në parti.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Në gjysmën e dytë të qershorit do të ulemi me partnerët qeveritarë dhe do të bisedojmë për hapat e mëtejshëm. Atëherë do të kemi një pasqyrë më të qartë edhe për strukturën e ardhshme. Planifikojmë që këto aktivitete t’i përfundojmë deri në mesin e qershorit, ndërsa më pas, në gjysmën e dytë të muajit, do të ulemi me partnerët e koalicionit dhe do të bisedojmë për hapat e ardhshëm”
Kryeministri Mickoski gjithashtu theksoi se nuk sheh arsye për largimin e partisë ZNAM nga koalicioni qeveritar, pavarësisht faktit se deputeti Mile Cekov është larguar nga partia dhe nga shumica parlamentare./Tv Koha/







