Programi studimor i Artit Muzikor në Universitetin e Tetovës e realizoi koncertin tradicional vjetor. Ky aktivitet që mblodhi bashkë profesorë, studentë dhe dashamirës të muzikës, dëshmoi për punën e palodhshme dhe talentin e jashtëzakonshëm të gjeneratave të reja të muzikantëve.
Koncerti ofroi repertor të pasur dhe të larmishëm, duke gërshetuar kryeveprat botërore me krijimtarinë e çmuar shqiptare. Koncertin e hapi Alban Shaini me interpretimin e veprës “Bylbyli” nga L. Dizdari, për të vijuar më pas me studentët e tjerë.
Anida Demiri solli “Wiegenlied” të J. Brahms; Embla Saiti interpretoi arien antike “Sento nel core” të A. Scarlatti; Melisa Loki dhe Rinesa Krasniqi emocionuan publikun me “Moj e bukura more” respektivisht “Ave Maria” të Caccini-t; Labinot Abduramani u prezantua me “Fenesta ca lucive” të V. Bellini-t; Florentina Abazi solli “Kroi i fshatit tonë” të Kristo Konos; Elif Saiti shkëlqeu në piano me “Polonaise in g-minor”nga Chopin.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe formacioneve kamertale dhe instrumentale: Zule Saiti (në shoqërimin me piano nga Nita Grubi) dhe dueti i violinës dhe violës nga Lulesa Pajaziti & Zule Saiti me një pjesë nga Mozart-i. Më pas, Rona Amiti interpretoi në mënyrë virtuoze “Scherzo nr. 1” të Chopin-it. Koncerti u realizua me interpretime korale të dirigjuara nga Premtim Etemi, ku u interpretuan veprat: “Madrigali i Ibrit plak” – F. Beqiri; “Porsi fleta e Ejllit t’Zotit” – Gj. Fishta; “Va pensiero” (Nabucco) – G. Verdi dhe “Dasma arbëreshe” – R. Dhomi.
Ky organizim i rëndësishëm u realizua në kujdesin e shefit të programit studimor Artit Muzikor, Prof. Ord. Bajramali Idrizi. Në përmbyllje të manifestimit kulturor, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i përgëzoi përzemërsisht studentët për këtë koncert, duke e vlerësuar lart nivelin e treguar artistik dhe theksoi se ngjarje të tilla lartësojnë emrin e universitetit dhe e pasurojnë jetën kulturore në vend.







