Vizitë e re me të njëjtin mesazh të vjetër. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, 12 muaj pas vizitës së tij të mëparshme në Maqedoni, përsëriti të njëjtën porosi që kishte dhënë edhe vitin e kaluar – pa ndryshime kushtetuese nuk do të ketë vazhdim të procesit të anëtarësimit. Kanë reaguar edhe partitë politike shqiptare në vend.
VLEN e përshëndet vizitën e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, në Shkup dhe e vlerëson atë si një konfirmim të rëndësishëm të perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
“Integrimi në Bashkimin Evropian është përcaktimi ynë strategjik dhe aspiratë e gjeneratave të tëra. Vizita e Presidentit Costa është inkurajim për të vazhduar me përkushtim reformat dhe proceset që e afrojnë vendin me familjen evropiane. Në këtë drejtim, VLEN do të vazhdojë të japë kontributin e vet institucional përmes zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, duke e mbajtur Agjendën reformuese në qendër të procesit eurointegrues”– thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Por ndryshe mendojnë nga ASH-ja. Sipas tyre, Deklarata e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ishte e qartë, e drejtpërdrejtë dhe pa hapësirë për interpretime partiake. Ajo që është dakorduar duhet të realizohet. As më shumë, as më pak.
“Me këtë qëndrim, Brukseli ia rrëzoi Qeverisë të gjitha arsyetimet e prodhuara për konsum të brendshëm dhe ia nxori në pah dështimin politik koalicionit VLEN, i cili hyri në Qeveri me premtimin se ndryshimet kushtetuese do të bëheshin në gjashtëmujorin e parë. Aleanca për Shqiptarët kërkon që VLEN menjëherë t’i kthehet marrëveshjes bazë dhe të kërkojë nisjen e procedurës për ndryshimet kushtetuese. Shqiptarët nuk votuan që përfaqësuesit e tyre të bëhen mburojë e bllokadës, as dekor i një Qeverie që po e mban vendin larg Bashkimit Evropian” – thuhet në komunikatën e ASH-së.
Miratimi i Ndryshimeve Kushtetuese mbetet mënyra e vetme që formalisht të nisin negociatat aderuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE – ishte mesazhi I qartë nga Shkupi I Presidentit të Këshillit të Evropës, Antonio Koshta.
ANTONIO COSTA – President i Këshillit të Evropës
“A mund Këshilli Evropian të miratojë konkluzione ku të thuhet se Maqedonia e Veriut ka përmbushur atë që është zotuar të përmbushë në vitin 2022 dhe më pas të hapim formalisht negociatat – unë dëshiroj që sa më shpejt Këshilli Evropian të ketë kushtet për të marrë një vendim të tillë. Por kjo varet nga Maqedonia e Veriut që të bëjë atë që ka pranuar në vitin 2022”
Kryeministri Hristijan Mickoski, pas takimit me Kostën, deklaroi se vendi mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por se për këtë nevojitet më shumë siguri, më shumë lidership, qartësi dhe besim nga ana e Bashkimit Evropian.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë rregulla më të lehta, nuk kërkojmë diçka që nuk u takon edhe të tjerëve. Kërkojmë parime dhe, natyrisht, një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm. Kërkojmë një proces në të cilin reformat, puna, meritat dhe obligimet e përmbushura do të vlerësohen realisht”
Lidhur me pyetjen nëse është i drejtë propozimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz, që për të përshpejtuar zgjerimin Ukrainës t’i jepet anëtarësim asociativ, ndërsa vendeve të Ballkanit Perëndimor statusi i vëzhguesve të privilegjuar – çështje për të cilën do të diskutohet në samitin BE–Ballkani Perëndimor pas tri ditësh në Mal të Zi – Costa u shpreh se, sipas tij, një propozim i tillë është bërë sepse procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është më i lehtë sesa ai i Ukrainës dhe se për këto vende nuk ka nevojë të krijohen zgjidhje të reja./Tv Koha/







