Të tjera lajme

20 VJET OEMVP – MIRËNJOHJE EDHE PËR TV KOHA

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore organizoi Ngjarje Solemne me rastin e 20-vjetorit të themelimit të saj, duke shënuar dy dekada përkushtim në përfaqësimin dhe avancimin e interesave të komunitetit të biznesit. Ky jubile i rëndësishëm mblodhi qindra përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit, partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe mysafirë të shumtë, të cilët së bashku reflektuan mbi rrugëtimin e deritanishëm dhe kontributin e OEMVP-së në zhvillimin ekonomik të vendit.

20 vjetori i themelimit të OEMVP-së shërbeu si një moment vlerësimi për të gjitha kompanitë anëtare, themeluesit, partnerët, Kryetarët e kuvendit të OEMVP, drejtorët ekzekutiv, mbështetësit ndër vite, bashkëpunëtorët institucional, kryetarët e Odës.

Iniciativa e themelimit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore nisi më 4 dhjetor të vitit 2004, nismë e cila përgjithmonë ndërroi trajektoren e biznesit dhe ekonomisë së vendit.

NUHI ALIU – Kryetari i OEMVP

“Në këtë rrugëtim, OEMVP duhet të mbetet shtëpia e biznesit shqiptar, një institucion që jo vetëm dëgjon, por vepron, jo vetëm përfaqëson, por mbron interesat e afaristëve tanë, sot dhe për brezat që do të vijnë. Ne kemi diasporë të fuqishme, të rinj të talentuar dhe potencial të jashtëzakonshëm. Ajo që na duhet është të vazhdojmë të besojmë tek njëri-tjetri dhe të ecim përpara së bashku”

20 vjetorin e OEMVP-sw e përshëndetën edhe Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski.

Ndërkaq u ndanë mirënjohje edhe për mediat që përkrahën të dëgjohet zëri i një institucioni që do përfaqësonte biznesin shqiptar, që asokohe kishte vizion gjithëpërfshirës që nuk kërkonte asgjë tjetër, pos një teren me kushte të barabarta dhe të drejta për një garë të mirëfilltë në tregun e vendit.

Me mirënjohje u nderua edhe Tv Koha kurse Drejtori Mevaip Abdiu është shprehur krenar për faktin se OEMVP ne vitin 2006, paraqitjen e pare televizive e ka patur pikërisht në Tv Koha – Tetovë.

U promovua edhe dokumentari i rrugëtimit 20 vjeçar të OEMVP, si dhe monografia komemorative, ku pjesë e saj janë kompani dhe figura të shumta që kanë qenë kontribuues përgjatë 2 dekadave të veprimtarisë së Odës.

Me pjesëmarrjen e tyre këtë ngjarje e nderoi edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV.

Njëzet vjet më vonë, OEMVP mbetet po ai zë i biznesit që lindi nga vizioni, guximi dhe nevoja për përfaqësim të denjë. Duke nderuar të kaluarën dhe kontributin e brezave që e formësuan, ajo vazhdon të shohë përpara me përgjegjësi, ambicie dhe besim në potencialin e biznesit vendor./Tv Koha/

Të fundit