Të tjera lajme

KF SHKËNDIJA GJOBITET ME 105.000 EURO DHE PËRJASHTOHET NGA KUPA!

Komisioni Disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka shqiptuar dënime të papara deri më tani pas ngjarjeve të tensionuara që shënuan fundin e sezonit futbollistik në vend. Më së keqi e pësoi FC Shkëndija, e cila përballet me një goditje të rëndë financiare dhe sportive, ndërsa gjoba do të paguajnë edhe ekipet e Sileksit dhe Vardarit.

Sipas FFM-së, për shkak të një sërë shkeljesh serioze gjatë finales së Kupës së Maqedonisë kundër Sileksit, Komisioni Disiplinor i ka shqiptuar FC Shkëndijës një gjobë totale prej 105.000 eurosh.

Klubi tetovar është dënuar me 15.000 euro për përdorimin e mjeteve piroteknike, 10.000 euro shtesë, sic thuhet, për thirrje nacionaliste dhe slogane fyese mbi baza kombëtare, si dhe 20.000 euro të tjera për shfaqjen e një pankarte me përmbajtje naziste, për të cilën më herët ishte ndëshkuar edhe nga UEFA.

Megjithatë, goditja më e madhe për klubin nuk është vetëm financiare. Sic thonë nga FFM-ja, për shkak të sjelljes degraduese dhe mungesës së respektit ndaj zyrtarëve dhe ekipit kundërshtar, si dhe refuzimit për të pranuar medaljet gjatë ceremonisë zyrtare, Shkëndija është dënuar me 30.000 euro dhe është përjashtuar nga pjesëmarrja në Kupën e Maqedonisë për sezonin 2026/27.

Për më tepër, për shkak të fishkëllimave dhe mungesës së respektit ndaj himnit shtetëror, klubi do të paguajë edhe 30.000 euro shtesë dhe katër ndeshjet e ardhshme si vendas do t’i zhvillojë pa praninë e tifozëve.

Finalisti tjetër i Kupës së Maqedonisë, FC Sileksi, kaloi dukshëm më lehtë. Për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike nga tifozët e tij gjatë finales, klubi nga Kratova është gjobitur me 5.000 euro.

Objekt i Komisionit Disiplinor ishte edhe kampioni i ri, FC Vardari, I cili do të duhet të paguajë një gjobë prej 15.000 eurosh për shkak të thirrjeve fyese të tifozëve në tribuna, por edhe për festimin e papërshtatshëm të titullit kampion nga vetë futbollistët.

Për më tepër, Komisioni ka hapur edhe një procedurë të re disiplinore ndaj FC Vardarit për përdorimin e mjeteve piroteknike në derbin e javës së 33-të kundër Shkëndijës./Tv Koha/

Të fundit