Të tjera lajme

NGA TIRANA NË PRISHTINË, PROTESTA PËR STUDENTËT SHQIPTARË NË RMV

Studentët e Kosovës kanë njoftuar se më 5 qershor do të organizojnë një protestë paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.

Protesta do të nisë në ora 14:00 dhe ka për qëllim të shprehë mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore.

Organizatorët thonë se gjuha shqipe është një e drejtë e garantuar dhe duhet të përdoret në të gjitha institucionet dhe procedurat shtetërore. Ata theksojnë se protesta do të jetë paqësore dhe synon të dërgojë një mesazh solidariteti me studentët shqiptarë.

Përmes një thirrjeje publike, ata kanë ftuar studentët, organizatat studentore, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët që t’i bashkohen protestës.

Kjo protestë vjen pas protestës studentore të mbajtue edhe në Tiranë nga studentët atje në përkrahje të kolegëvet të tyre në Maqedoni të Veriut.

Ndërkohë dje Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se ende nuk e ka shqyrtuar propozimin e grupit punues për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke shtuar se në fillim të javës së ardhshme do i prezantohet i njëjti.

Ndërkohë, grupi i punës i përbërë nga ekspertë kushtetues tashmë ia ka dorëzuar Qeverisë propozim-zgjidhjen për këtë çështje. Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, bëri të ditur se propozimi parasheh që pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të mund të jepet në gjuhën shqipe, me kërkesë të kandidatit.

Sipas tij, pjesa praktike e provimit do të vazhdojë të zhvillohet në gjuhën maqedonase, pasi lëndët dhe materialet që përdoren në gjykata janë vetëm në këtë gjuhë.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Kjo iniciativë morri përkrahje të gjërë nga brenda dhe jashtë shtetit dhe kulmoi me dy protesta të mëdha në Shkup, një në Tiranë dhe tani më edhe në Prishtinë./Tv Koha/

Të fundit