Të tjera lajme

INTEGRIMI NË BE – PREMTIMI ME AFAT TË SKADUAR

Integrimi europian i Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet si ai seriali që premton fundin e madh në sezonin e ardhshëm, por sezoni i ardhshëm nuk po vjen kurrë. Ndërsa politikanët prej vitesh sigurojnë qytetarët se vendi është “në prag” të Bashkimit Europian, qytetarët duket se e kanë humbur besimin te këto premtime që përsëriten më shpesh se sa afatet e reja për anëtarësim. Në anketën e realizuar nga TV Koha, qytetarët shprehën skepticizëm të thellë për perspektivën europiane të vendit. Sipas tyre, korrupsioni, mungesa e reformave dhe mosplotësimi i kushteve kryesore janë arsyet pse Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet në stacion, ndërsa fqinjët po ecin përpara.

Disa prej tyre vlerësojnë se Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm drejt integrimit dhe se mund të bëhet pjesë e BE-së shumë më shpejt se Maqedonia e Veriut. Madje qytetarët dyshojnë se ngërçi është i qëllimshëm, sepse politikanët duan liri veprimi që nuk do e kenë nëse vendi anëtarësohet në BE.

“Për mendimin tem, maqedonia ngeli pas pavarësish deklaratave të politikanëve se jemi para Shqipërsisë dhe Malit të Zi, bile në disa sektorë edhe Sërbia është para nesh për fat të keq, ne kemi mbet të fundit. Deklarata e djeshme e eurokomisarit dje se pa ndryshimet kushtetuese nuk ka anëtarësim në BE, tash e dijmë edhe situatën me Bullgarinë. Unë do kisha bërë një apel, që të merret më seriozisht që nëse nuk futemi në BE ka ngulfatje të popullatës këtu në Maqedoni pasi që Shqipëria ka ec shumë përpara dhe pritet që në fund të 2027 të bëhet pjesë e BE-së. Preudikoj që ka indikacione që politikanët e bëjnë me qëllim. Jo që unë e them po kjo është mendimi i shumicës që sa më shumë rëmujë të ketë aq më mirë është për politikën. Kur të vëndohet rregull ka rregull për krejtë” tha një qytetar për Televizionin Koha.

Qytetarët theksojnë se korrupsioni mbetet problemi më i madh, duke argumentuar se pa sundim të ligjit dhe pa reforma serioze, anëtarësimi në BE do të vazhdojë të mbetet një premtim elektoral dhe jo një realitet i prekshëm. Sipas tyre, përderisa çdo derë hapet me ndikim dhe jo me meritë, Europa do të vazhdojë të duket më afër në hartë sesa në praktikë. Të tjerë kujtojnë se për dekada kanë dëgjuar premtime për anëtarësim, por rezultati ka mbetur i njëjtë, shumë deklarata, pak progres.

“Qytetarët janë të revoltuar.  Këtu në Maqedoni nuk shkon puna. Nuk kryhen punët. Me këtë korrupsion nuk na merr neve ashkush në Europë. Këtu është korrupsioni i hatashëm. Në të gjitha polet. Nuk është vetëm në një pjesë por në gjithçka. Ku të hapësh derë është korrupsion. Edhe për atë arsye nuk besoj.  Politikanët e kanë vetëm politike ditore këto premtimet për anëtarësim se punë nuk bëjnë asgjë në nivel shtetërorë. Mundohen punë lokale diçka por punë të mdhoja me shtetet fqinje nuk i bëjnë. Nuk besoj se do bëhet asgjë” tha një qytetar për Televizionin Koha. “

“Tani për tani më duket se nuk kemi opsione të tilla. Për një kohë të gjatë rëndë se do të anëtarësohemi. Ka shumë komplikime kështu që edhe një kohë të gjatë do të si punë e papastruar. Së paku 100 herë i kam dëgjuar duke premtuar se do të bëhemi pjesë e BE-së, por jo. Jo kështu jo ashtu… por rëndë do të shkojë” tha një qytetar për Televizionin Koha.

Mesazhi që del nga anketa është i qartë, qytetarët nuk kërkojnë më data të reja dhe deklarata optimiste, por rezultate konkrete. Sepse pas kaq shumë vitesh pritjeje, duket se durimi i tyre po integrohet më shpejt në histori sesa Maqedonia e Veriut në Bashkimin Europian./Tv Koha/

Të fundit