Për herë të parë, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po vendoset në ligj, tha gjatë një press-konference Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një hap historik, avancim të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe si përgjigje serioze ndaj boshllëkut institucional që u krijua pas shfuqizimit të balancuesit.
Sipas Azizit, ky ligj sjell disa zgjidhje të rëndësishme.
Së pari, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat bëhet detyrim ligjor për institucionet. Nuk do të varet më nga vullneti i një drejtori, i një ministrie apo nga interpretimi i dikujt.
Së dyti, vendoset mekanizëm qeveritar për ndjekjen e zbatimit të ligjit. Trupi koordinues, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, do të mbledhë të dhëna, do të monitorojë gjendjen dhe do të raportojë para Qeverisë.
Së treti, ligji mbështetet në të dhëna reale: në regjistrimin e fundit të popullsisë, në gjendjen reale të institucioneve dhe në nevojat konkrete për punësime.
Azizi tha se ligji e mbron vetëdeklarimin e lirë, por e ndalon keqpërdorimin e tij. Sipas tij, askush nuk mund ta përdorë identitetin etnik si manovër për të fituar vend pune. Nëse konstatohet keqpërdorim, kandidati refuzohet dhe nuk mund të aplikojë në konkurse për tre muaj.
ADNAN AZIZI – VLEN
Së pesti, ligji parashikon që organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike, në të gjitha nivelet, të ndërmarrin masa të përshtatshme, proporcionale dhe të justifikuara në kohë, me qëllim sigurimin e barazisë së plotë dhe efektive të qytetarëve, për të respektuar, afirmuar, avancuar dhe mbrojtur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive.
Ndrëkohë, Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive miratoi sot me 11 vota “për” dhe dy “kundër” propozimin që Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të miratohet me të ashtuquajturin “Badenter i vogël” ose Badenter i thjeshtë, përkatësisht me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe shumicën e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive joshumicë.
Partitë opozitare shqiptare kritikuan zgjidhjen ligjore, duke theksuar se ajo nuk parashikon kuota dhe as mekanizma të qartë kontrolli për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Sipas tyre, kjo mund të ketë pasoja afatgjata dhe cenon një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të Kushtetutës së vendit.







