Gjatë dy viteve, mbi 360 ton ushqim i pasigurt është penguar të përfundojë në tryezat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Bëhet fjalë për produkte me origjinë shtazore dhe joshtazore, përfshirë qumësht, mish dhe produkte të tjera ushqimore.
Sipas informacioneve zyrtare, nga kufijtë janë kthyer 16 dërgesa ushqimi me origjinë shtazore, ndërsa tri janë asgjësuar. Në të njëjtën kohë, janë ndaluar nëntë dërgesa ushqimi me origjinë joshtazore, ndërsa plot 90 ton ushqim i importuar është asgjësuar.
Pavarësisht inspektimeve të shtuara, në opinion është rihapur pyetja – çfarë ushqimi konsumojnë qytetarët, pasi u zbuluan parregullsi serioze te produktet e qumështit dhe mishit.
Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, theksoi se gjatë vitit 2024 janë realizuar mbi 47.200 kontrolle inspektuese, ku janë shqiptuar 6.770 masa për shkelje të konstatuara.
Kontrollet kryhen në të gjithë zinxhirin ushqimor – nga prodhimi dhe përpunimi, deri te shpërndarja dhe shitja. Paralelisht po forcohen analizat laboratorike dhe sistemet e menaxhimit të rrezikut.
Agjencia e Ushqimit njoftoi këto ditë se në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme janë marrë 91 mostra të qumështit, produkteve të qumështit dhe produkteve të thata të mishit, si nga prodhimi vendor ashtu edhe nga importi. Nga 45 mostrat e analizuara të qumështit dhe produkteve të qumështit, te 10 operatorë janë konstatuar parregullsi. Te një pjesë e produkteve është vërejtur përqindje dukshëm më e ulët e yndyrës së qumështit krahasuar me atë të deklaruar.
Nga Rrjeti Kombëtar i Bujqësisë alarmojnë se paralelisht me problemet e cilësisë, po bie edhe prodhimi vendor.
Sipas tyre, numri i lopëve qumështore është ulur nga 150.000 në rreth 90.000, ndërsa prodhimi i qumështit ka rënë nga 360–390 milionë litra në rreth 220 milionë litra.
Kjo, siç thonë ata, rrit varësinë nga importi i lëndëve të para dhe produkteve të dyshimta të përpunuara të qumështit.







