Të tjera lajme

TETOVA NË PRITJE TË RIPARIMIT TË SEMAFORËVE – QYTETARËT KËRKOJNË ZGJIDHJE!

Mosfunksionimi i semaforëve vazhdon të shkaktojë tollovi në rrugët e Tetovës, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme për zgjidhje nga autoritetet komunale.

Ky problem për çdo ditë shkakton tollovi në trafik, sidomos në disa nga kryqëzimet më të frekuentuara krijohen kolona të gjata dhe bllokime të shpeshta të trafikut.

Semaforët në disa nga udhëkryqet më të frekuentuara vazhdojnë të jenë jashtë funksionit, duke krijuar kaos në komunikacion dhe duke rritur rrezikun për aksidente. Qytetarët çdo ditë përballen me kolona të gjata automjetesh, pritje të gjata dhe situata të pasigurta gjatë kalimit të rrugës. Më të rrezikuarit mbeten këmbësorët, fëmijët dhe të moshuarit, të cilët detyrohen të kalojnë mes automjeteve që lëvizin pa një rregullim të qartë të trafikut. Banorët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet kompetente, duke theksuar se siguria në komunikacion nuk duhet të vihet në pikëpyetje për shkak të semaforëve të prishur. Derisa autoritetet të ndërmarrin masa konkrete, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut në çdo kalim të udhëkryqeve.

Qytetarët e anketuar nga Tv Koha presin zgjidhje sa më të shpejtë për këtë problem, kurse thonë se mungesa e semaforëve u shkakton telashe gjatë kalimit të rrugëve.

Nga Komuna e Tetovës thonë se është dorëzuar urdhëresë pune dhe së shpejti pritet të fillojnë punimet. Do të bëhet digjitalizimi I tyre me sistem të centralizuar të menaxhimit.

BILALL KASAMI – Kryetar i Komunës së Tetovës

Komuna e Tetovës së fundmi hapi tender dhe përzgjodhi kompaninë ‘A-Zero’ nga Gostivari për rregullimin e sinjalistikës rrugore në qytet, përfshirë edhe semaforët.

Autoritetet premtojnë zgjidhje për këto probleme para se situata të rëndohet më shumë sidomos tani kur Tetova është në pritje të mërgimtarëve gjatë verës, ku si zakonisht për shkak të rritjes së fluksit të automjeteve shkaktohen rrëmuja në trafik./Tv Koha/

Të fundit