Të tjera lajme

VAPA NË TETOVË: DHJETËRA THIRRJE NË URGJENCË – PROBLEM VOZITËSIT E PAPËRGJEGJSHËM!

Netë tropikale, mëngjese të nxehta, vapë afrikane gjatë ditës. I këtillë është moti ditëve të fundit në vendin tonë gjë që ka reduktuar shumë punë gjatë pikut të nxehtësisë por ka shtuar edhe aktivitetet e shërbimeve emergjente.
Mjekët paralajmërojnë se ndryshimet e menjëhershme të motit i përballojnë më rëndë personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe meteopatët.

Alarmi i Urgjencës gjithnjë e më shpesh po jehon rrugëve të Tetovës. Pas çdo thirrjeje qëndron dikush me shëndet të rënduar, kurse ndonjëherë dhe luftë për jetën. Ekipi i Ndihmës së Shpejtë brenda ditës intervenon në dhjetëra raste.

Me ardhjen e stinës së verës, temperaturat po rriten ndjeshëm. Nga temperatura tropikale deri te reshjet e shiut dhe bubullimat brenda vetëm pak orësh, moti po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm.

Qytetarët thonë se përpiqen të mbrohen nga vapës. Tetovarët kanë vendet e tyre të preferuara për t`u mbrojtur nga vapa e padurueshme.

Nga Ndihma e Shpejtë në Tetovë, për Tv Koha, thanë se është shtuar numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë. Marrin dhjetëra thirrje për intervenime.

“Me ardhjen e verës dhe rritjes së temperaturës, janë shtuar thirrjet në urgjencë, kryesisht të popullatës mbi 50 vjeç dhe më shpesh kemi simptomat e dehidrimit, tension i ulët gjaku, goditje në tru dhe zemër, të cilët me të vërtetë në këtë periudhë janë me intensitet më të madh. bëjmë thirrje që qytetarët obligimet e tyre t`i kryejnë deri ora 10.00 apo 11.00 dhe më pas të tërhiqen në shtëpi ku nuk do të ekspozohen ndaj këtyre temperaturave”

Por, mungesa e ekipeve mjekësore, e autoambulancave, e personelit, si dhe trafiku i rënduar në Tetovë, vazhdojnë ta rëndojnë punën e shërbimeve të urgjencës.

“I kemi mjetet e domosdoshme por personelin e kemi me kapacitet të zvogëluar dhe personeli ynë jep maksimumin në punë. Në disa thirrje jemi të kufizuar, anulojmë thirrjet për më vonë, të themi për ata që janë me sëmundje kronike. nëse duhet të shkojmë për gjysmë ore, shkojmë pas një ore”

Mjekët e ndihmës së shpejtë në Tetovë, nuk janë të kënaqur me kulturën e vozitësve nëpër rrugët e qytetit. Kanë respekt për përjashtimet, por thonë se duhet të ketë më shumë solidaritet nëpër rrugë pasi sekondat apo minutat mund të shpëtojnë jetë.

“Kultura e vozitësve në Tetovë është në nivelin më të ulët. Çdo respekt për ata që japin përparësi për autoambulancën. Nëse nuk e ke të kyçur alarmin, vozitësit kur të shohin me drita rotacioni nuk lirojnë vend dhe nuk hiqen. Shikojnë në telefona, bisedojnë dhe aspak nuk shqetësohen për të liruar rrugën. Nëse diku duhet të mbërrijmë për 5 minuta, mbërrijmë për 8 minuta, na rritet koha e intervenimeve“
Punonjësit shëndetësorë u bëjnë apel qytetarëve që gjatë ditëve më të nxehta të mos ekspozohen në diell në orët e mesditës, të konsumojnë rregullisht lëngje dhe të shmangin aktivitetin fizik.

Sipas mjekëve, temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në organizmin e njeriut.

Trupi përpiqet të mbrohet përmes djersitjes, por gjatë këtij procesi humben elektrolitet, gjë që mund të shkaktojë çekuilibër elektrolitik.
Ky çekuilibër ndikon në qendrën e ekuilibrit dhe shkakton marramendje, ndjenjë të fikëti, zhurmë në veshë, tharje të gojës dhe në raste të caktuara edhe kolaps.

Të fundit