Të tjera lajme

Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore: Qytetarët do të mund të deklarohen si dhurues organesh pas vdekjes

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, duke krijuar mundësinë që çdo qytetar madhor të deklarohet personalisht nëse dëshiron të jetë dhurues organesh pas vdekjes përcjell INA.

Ligji u miratua me procedurë të shkurtuar, me 58 vota pro dhe 6 kundër. Nga Ministria e Shëndetësisë vlerësojnë se ndryshimet forcojnë ndjeshëm kornizën ligjore dhe institucionale për dhurimin e organeve dhe transplantimin në vend.

Një nga risitë kryesore është zgjerimi i rrethit të dhuruesve të gjallë, duke mundësuar që organe të dhurojnë edhe të afërmit deri në shkallën e katërt të farefisnisë. Çdo rast do të shqyrtohet nga një Komision Etik, i cili do të vlerësojë nëse vendimi është marrë në mënyrë vullnetare dhe do të kujdeset për parandalimin e çdo keqpërdorimi të mundshëm.

Po ashtu, ligji parashikon krijimin e një moduli të ri digjital në sistemin “Termini Im” (Moj Termin), përmes të cilit qytetarët do të mund të shprehin qartë vullnetin e tyre nëse dëshirojnë të jenë dhurues organesh. Deklarimi do të jetë i sigurt, me verifikim të dyfishtë, ndërsa qytetarët do të kenë të drejtë ta ndryshojnë ose ta tërheqin vendimin e tyre në çdo kohë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ligji i miratuar përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi më funksional, më efikas dhe më dinjitoz për dhurimin e organeve dhe transplantimin, në interes të pacientëve dhe të shëndetit publik.

“Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të sistemit të transplantimit, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe ndërtimin e besimit, sepse dhurimi i organeve i jep kuptimin më të lartë humanizmit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.(INA)

Të fundit