Aksin rrugor Çiflik – Dëbërcë, Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, e quajti një ndër akset më të rëndësishme në këtë Komunë dhe një rrugë që është kërkuar nga qytetarët më shumë se tre dekada.
Ai tha se po përmbush edhe një premtim për projektet infrastrukturore duke pohuar se kjo rrugë do të jetë një urë lidhëse dhe një projekt në dobi të Çiflikut dhe Dëbërcës por edhe gjithë Komunës së Zhelinës, transmeton Televizioni KOHA.
Aksi rrugor Çiflik – Dëbërcë është me gjatësi 1.6 km dhe gjerësi 5 metra. Blerim Sejdiu tha se nuk do të ndalet me kaq dhe pret që hapja e kësaj rruge të ndikojë edhe në zhvillimin e biznesit.
Por, kreu i Komunës së Zhelinës, nuk u ndal me kaq! Nëpër rrjetet sociale njoftoi përfundimin e rrugës Dëbërcë – Çiflik, sic thotë, një rrugë që nuk ka ekzistuar e që bëhet për herë të parë. Sipas tij, kjo rrugë ka qenë kërkesë e vjetër e shumë qytetarëve, që lidhë njerëzit, familjet e fshatrat dhe se ky investim do të mundësojë zhvillimin ekonomik të kësaj zone, transmeton Televizioni KOHA.
Ndryshe më 28 Prill, Kryetari I Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, bashkë me Zv/Ministren e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, promovuan përfundimin e fazës së parë të Projektit për Rekonstruimin e Rrugës për në fshatrat Merovë-Sallarevë me gjatësi prej afër 3 kilometrash, me 5 metra gjerësi asfalt, ndërsa bashkë me bankina rruga arrin gjërësinë 6 metrash, me gjithsej 13 mijë metra katrorë sipërfaqe të asfaltuar./Televizioni KOHA







