Të tjera lajme

KUSHTRIM AHMETI ZYRTARISHT REKTOR I UNIVERSITETIT TË TETOVËS | VIDEO

Në Universitetin e Tetovës dje u zhvillua ceremonia zyrtare e dorëzim-pranimit të detyrës së rektorit, gjatë së cilës rektori në largim Prof. Dr. Jusuf Zejneli, ia dorëzoi drejtimin e institucionit rektorit të ri të zgjedhur për mandatin 2026-2029, Prof. Dr. Kushtrim Ahmetit, transmeton Televizioni KOHA.

Universiteti i Tetovës njoftoi se Ceremonia e dorëzim-pranimit u zhvillua në prani të kryetarit të Komisionit Universitar Zgjedhor, prorektorëve, dekanëve të njësive akademike, senatorëve të Universitetit, Sekretarit të përgjithshëm, si dhe përfaqësuesve të administratës universitare, duke reflektuar frymën institucionale dhe vazhdimësinë e qeverisjes akademike.

Me këtë rast, Jusuf Zejneli i uroi suksese Kushtrim Ahmetit në ushtrimin e detyrës së re, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së zhvillimit institucional, avancimit të cilësisë në arsimin e lartë, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit të Universitetit, transmeton Televizioni KOHA.

Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti theksoi se do të angazhohet për ta çuar përpara misionin dhe vizionin e Universitetit, duke u fokusuar në cilësinë akademike, inovacionin, transformimin digjital dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ndryshe kohë më parë, gjatë një deklarate për Tv Koha ai tha se fokusi do të jetë në 6 shtyllat, të cilat janë të ndërlidhura rreth një vizioni të vetëm që nënkupton se për UT-në nuk mjafton vetëm mirëmbajtja institucionale por duhet të hapërojë drejt zhvillimit.

Dije të matshme dhe cilësore, ndryshimet në shoqëri, konkurrenca në arsimin e lartë si dhe kërcënimi nga faktori demografik janë sfidat gjatë mandatit të Rektorit Kushtrim Ahmeti, të përmbledhur në platformën me moton “Dije, cilësi dhe zhvillim”/Televizioni KOHA.

Të fundit