Të tjera lajme

KUVENDI MIRATOI LIGJIN PËR LOJËRAT E FATIT |VIDEO

Me 60 vota “pro” dhe 20 “kundër”, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese. Një nga risitë kryesore të zgjidhjes së re ligjore është dispozita që parashikon zhvendosjen e objekteve ku organizohen lojërat e fatit në një distancë prej të paktën 500 metrash nga shkollat fillore dhe të mesme në vend, transmeton Televizioni KOHA.

Sipas Ministrisë së Financave, ligji i ri synon të sigurojë mbrojtje më të madhe për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, të zvogëlojë ekonominë gri, të forcojë kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi organizimin e lojërave të fatit, të kontribuojë në luftën kundër pastrimit të parave dhe keqpërdorimeve financiare, si dhe të krijojë kushte të drejta dhe transparente për të gjithë organizatorët e lojërave të fatit.

Nga Ministria theksojnë se ligji vendos theks të veçantë edhe te rregullimi i reklamimit të lojërave të fatit, transmeton Televizioni KOHA.

Për herë të parë ndalohet qartë reklamimi në pjesën e jashtme të lokaleve afariste, si dhe përdorimi i reklamave ndriçuese dhe agresive.

Për një kontroll më efikas, ligji parashikon edhe vendosjen e detyrueshme të një sistemi GPS për pozicionimin e çdo aparati të lojërave të fatit, terminali VLT dhe terminali për lojëra elektronike, të lidhur me Drejtorinë e të Ardhurave Publike, transmeton Televizioni KOHA.

Pas miratimit të ndryshimeve në Kuvend, nga Shoqata e të Punësuarve në Sektorin e Lojërave të Fatit “Dua të Punoj” deklaruan se janë të zhgënjyer nga vendimi i deputetëve dhe i kërkuan presidentes Gordana Siljanovska-Davkova të mos e nënshkruajë dekretin për hyrjen në fuqi të këtij ligji./Televizioni KOHA.

Të fundit