Mbrëmjen e sotme, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, do të bëhen publike ndryshimet në Qeveri.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se me partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM ekziston një marrëveshje parimore për ndarjen e resorëve, por se emrat e ministrave do të bëhen të ditur vetëm pas mbledhjes së udhëheqjes së partisë, transmeton Televizioni KOHA.
Ai theksoi se deri më tani nuk është biseduar për emra konkretë, por vetëm për ndarjen parimore të resorëve, duke shtuar se opinioni do të informohet në detaje sonte rreth orës 20:00.
Sipas informacioneve jozyrtare, nga Qeveria do të largohen:Fatmir Limani (Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë), Azir Aliu (Ministria e Shëndetësisë), Ivan Stoilkoviq (Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive), Zoran Ljutkov (Ministria e Kulturës), Igor Fillkov (Ministria e Drejtësisë), Cvetan Tripunovski (Ministria e Bujqësisë), transmeton Televizioni KOHA.
Sipas deklaratave të përfaqësuesve të partnerëve të koalicionit, pas rikonstruimit VLEN pritet të drejtojë gjashtë ministri, përfshirë Ministrinë e Mjedisit Jetësor, Ekonomisë, Drejtësisë, Eurointegrimeve, Kulturës dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, ndërsa në një pjesë të këtyre resorëve priten emërime të reja.
Nga ZNAM njoftojnë se do të drejtojnë dy ministri, transmeton Televizioni KOHA.
ZNAM do të heqë dorë nga resori i Drejtësisë, të cilin aktualisht e udhëheq ministri Igor Fillkov, ndërsa në këmbim i është ofruar posti i ministrit të Bujqësisë.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se largohet nga ky dikaster, të cilin, sipas tij, e lë në gjendje të mirë. Nëse do të marrë një funksion të ri dhe cili do të jetë ai, mbetet e paqartë.
Tashmë beteja pritet të zhvillohet për sigurimin e pozitave më të mira drejtuese në institucionet shtetërore.
Sipas njoftimeve, përbërja e propozuar e Qeverisë së re do t’i dorëzohet Kuvendit menjëherë pas publikimit, ndërsa më pas do të vijojë procedura parlamentare për zgjedhjen e saj./Televizioni KOHA.







