Të tjera lajme

TETOVA NË PRITJE TË MËRGIMTARËVE – ARDHJA QË GJALLËRON QYTETIN!

Kështu duket Tetova në pikun e valës së ardhjes së mërgimtarëve. Qyteti rrëzë Sharrit merr një pamje tjetër ku gjithçka frymon ndryshe.

Nisin të gjallërojnë bizneset, nis të lulëzojë industria e dasmave, me një fjalë rimëkëmbet ekonomia vendore.

Pavaraësisht kësaj mërgimtarët sjellin edhe aromën e çmalljes me familjen, dashamirët, farefisin e shoqërinë.

Tetova çdoherë ka ditur t`i presë mërgimtarët, madje mezi ka pritur që ata të vijnë për të kaluar pushimet në vendlindje.

“Në prag të verës, Tetova nis të marrë frymë ndryshe. Rrugët mbushen me makina me targa të huaja, oborret hapin dyert për bijtë e bijat e tyre. Mërgimtarët nuk sjellin vetëm valixhe me dhurata, por rikthejnë gjallërinë në çdo lagje të qytetit. Kafenetë mbushen, restorantet punojnë më shumë, dyqanet kanë më shumë klientë, ndërsa ekonomia lokale merr një shtysë të rëndësishme. Për shumë biznese, kjo është periudha më e mirë e vitit. Sepse, për Tetovën, vera nuk fillon me temperaturat e larta. Ajo fillon kur në pragun e shtëpisë dëgjohet trokitja e atyre që, pavarësisht sa larg jetojnë, këtë qytet e quajnë gjithmonë shtëpi”, njofton Televizioni KOHA.

Qytetarët e anketuar nga Tv Koha thonë se mërgimtarët janë të mirëpritur pasi vijnë në shtëpitë e tyre. Përvec kësaj, sipas tyre, benefitet ekonomike janë tepër të mëdha.

U mbetet autoriteteve komunale por edhe qytetarëve si individ që qëndrimin e mërgimtarëve në vendlindje t`ua bëjmë sa më të mirë, pasi dy javë shpejt kalojnë.

Në këtë drejtim nga Komuna e Tetovës e ka piketuar nisjen e Verës Kulturore pikërisht në periudhën kur pjesa më e madhe e mërgimtarëve qëndron në Tetovë e rrethinë, përcjellë Televizioni KOHA.

Në këtë kontekst Sheshi i Tetovës pritet të mbushet me mërgimtarë dhe jo vetëm, kurse premtohen edhe emra të njohur të estradës muzikore shqiptare që do të performojnë enkas për mërgimtarët por edhe për të gjithë qytetarët që netët e nxehta pritet t`i kalojnë në Tetovë./Televizioni KOHA.

Të fundit