Të tjera lajme

RIFORMATIMI: MICKOSKI BËRI PUBLIKE NDRYSHIMET KADROVIKE NË QEVERI

Sasho Klekovski largohet nga drejtimi i Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe kalon në Ministrinë e Shëndetësisë, në vend të Azir Aliut.

Fatmir Limani largohet nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa në vend të tij emërohet zëvendësministri aktual, Gjoko Velkovski nga VMRO-DPMNE.

Zoran Ljutkov nga VMRO-DPMNE e lëshon postin e ministrit të Kulturës dhe Turizmit, ndërsa në vend të tij emërohet zëvendësministri aktual Sedat Sulejmani nga koalicioni VLEN.

Agon Ferati nga VLEN emërohet zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, në vend të Ivan Stoilkoviqit nga Partia Demokratike e Serbëve. Stoilkoviqi propozohet për ministër të Vetëqeverisjes Lokale.

VLEN merr edhe Ministrinë e Drejtësisë, ku Jeton Shasivari do ta zëvendësojë Igor Filkovin nga ZNAM.

Partia e Maksim Dimitrievskit, ZNAM, në këmbim merr Ministrinë e Bujqësisë. Në vend të Cvetan Tripunovskit emërohet sekretari aktual shtetëror Borçe Serafimovski, i cili është edhe nënkryetar i ZNAM-it.

Kryeministri dhe njëherësh kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas mbledhjes së mbrëmshme të Komitetit Ekzekutiv të partisë, e bëri publik përbërjen e re të Qeverisë.

HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër

“Ky rikonstruktim i Qeverisë shënon fillimin e një faze të re pas dy viteve të punës së kësaj qeverie, të mbushura me sfida serioze, vendosje të themeleve, stabilizim të gjendjes dhe realizim të projekteve të rëndësishme. Tani pason një periudhë ku fokusi do të jetë edhe më i madh në efikasitet, dinamikë dhe rezultate konkrete për qytetarët – energji e re për një përshpejtim të ri”, deklaroi Mickoski.

Ndër ndryshimet e tjera, shfuqizohet posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, të cilin e mbante Arben Fetai.

Ai kishte munguar në punë për disa muaj dhe më pas dha dorëheqje. Për çështjet e qeverisjes së mirë në të ardhmen do të jetë përgjegjës një sekretar nga kabineti i kryeministrit.

Erxhan Demir nga VMRO-DPMNE emërohet ministër pa resor i ngarkuar për integrimin e romëve, në vend të Shaban Saliut nga Forcat Demokratike të Romëve.

Është paralajmëruar edhe zgjerimi i shumicës qeveritare me Partinë Demokratike të Turqve, e cila ka një deputet. Kjo parti do të marrë një post ministri pa resor, ndërsa numri i përgjithshëm i anëtarëve të Qeverisë do të mbetet i pandryshuar.

Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, largohet nga Qeveria dhe emërohet drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor./Tv Koha/

Të fundit