Me kualifikimin e Argjentinës dhe Zvicrës janë kompletuar edhe katër sfidat çerekfinale të Botërorit 2026. Ndeshja e parë çerekfinale është supersfida Franca – Maroku që luhet më më 9 korrik në orën 22:00.
Argjentina me përmbysje spektakolare ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës pas një fitoreje dramatike 3-2 ndaj Egjiptit. Kampionët në fuqi përmbysën disavantazhin 2-0 në minutat e fundit, duke dhuruar një nga rikthimet më spektakolare të turneut.
Lionel Messi ishte një nga protagonistët kryesorë të sfidës. Edhe pse humbi një penallti në pjesën e parë, kapiteni argjentinas reagoi në momentin vendimtar, duke shënuar golin e barazimit dhe golin e tetë të tij në këtë Botëror.
Pas përfundimit të ndeshjes, Messi u pa i përlotur në fushë, një moment që preku tifozët dhe u bë menjëherë viral në rrjetet sociale.
Por, pavarësisht përmbysjes spektakolare, fitorja e Argjentinës ka rënë nën hijen e dyshimeve dhe akuzave që vijnë nga taborri egjiptian. “Faraonëve” iu mohua një gol dhe një penalti në momentet vendimtare të ndeshjes. Akuzat egjiptiane shkojnë deri atje ku pretendohet se po favorizohet Argjentina dhe Messi kurse Federata Egjiptiane e Futbollit zyrtarisht ka kërkuar pezullimin e arbitrit francez Fransoa Leteksije dhe hetime për vendimet e diskutueshme në terren.
Zvicra është çerekfinalistja e fundit e Kupës së Botës, pasi mposhti Kolumbinë me rezultat 4:3 pas ekzekutimit të penalltive, në një duel që nuk prodhoi asnjë gol për 120 minuta lojë. Në formacioni titullar të helvetikëve u paraqitën dy futbollistët shqiptarë, kapiteni Granit Xhaka dhe Ardon Jashari. Xhaka shënoi edhe penaltinë e parë për Zvicrën.
Nga pika e bardhë, zviceranët u treguan më të saktë dhe siguruan kualifikimin me rezultat 4:3, duke vulosur biletën për në mesin e tetë skuadrave më të mira të turneut.
Ky është një sukses historik për Zvicrën, e cila rikthehet në çerekfinalen e Kupës së Botës pas shumë vitesh pritjeje.
Pas përfundimit të fazës së 1/8 së finales së Botërorit, tanimë janë mësuar katër çiftet çerekfinale ku do të përballen: Franca – Maroku, Spanja-Belgjika, Norvegjia – Anglia dhe Argjentina – Zvicra.







