Të tjera lajme

U vjen fundi giveaway-ve pa rregulla në Maqedoni, nga 14 korriku hyn në fuqi ligji për lojërat shpërblyese online Leje e detyrueshme dhe tarifë 18%

Organizimi i giveaway-ve në Maqedoninë e Veriut nuk do të jetë më i mundur pa leje zyrtare. Duke filluar nga 14 korriku, hyn në zbatim Ligji i ri për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i cili për herë të parë vendos rregulla të qarta për organizimin e këtyre aktiviteteve promovuese në internet dhe rrjetet sociale njofton INA.

Ministria e Financave njofton se me ndryshimet ligjore synohet rritja e transparencës, garantimi i sigurisë juridike dhe mbrojtja më e madhe e pjesëmarrësve në giveaway.

Sipas ligjit të ri, çdo organizator do të duhet të sigurojë leje nga Ministria e Financave, ndërsa kërkesa duhet të dorëzohet të paktën 30 ditë para fillimit të giveaway-t. Bashkë me kërkesën duhet të dorëzohet dokumentacioni i nevojshëm, i cili ndryshon varësisht nëse organizatori është tregtar individual apo shoqëri tregtare.

Një nga risitë kryesore është edhe detyrimi për pagesën e një tarife prej 18 për qind të vlerës së përgjithshme të fondit të shpërblimeve, e cila duhet të paguhet brenda tre ditëve nga marrja e lejes. Në të kundërtën, leja do të revokohet.

Ligji parashikon gjithashtu publikimin e detyrueshëm të rregullave të giveaway-t para nisjes së tij, ndërsa emrat e fituesve duhet të publikohen jo më vonë se tre ditë pas përzgjedhjes. Shpërblimet duhet t’u dorëzohen fituesve brenda afatit të përcaktuar në rregullat e lojës, i cili nuk mund të jetë më i gjatë se 60 ditë nga publikimi i rezultateve.

Rregullat e giveaway-t do të duhet të përmbajnë të gjitha informacionet kryesore, përfshirë organizatorin, produktet ose shërbimet që promovohen, kushtet e pjesëmarrjes, kohëzgjatjen e lojës, mënyrën e përzgjedhjes së fituesve, vlerën e shpërblimeve dhe procedurën për paraqitjen e ankesave. Ligji ndalon pjesëmarrjen e të punësuarve te organizatori dhe të anëtarëve të familjeve të tyre të ngushta, ndërsa një giveaway nuk mund të zgjasë më shumë se një vit.

Për herë të parë, ligji jep edhe një përkufizim zyrtar të giveaway-t, duke e cilësuar si një lojë fati ku pjesëmarrja realizohet përmes aktiviteteve si like, tag, share ose publikimi i përmbajtjeve me qëllim promovimin e produkteve apo shërbimeve.

Me këto ndryshime rregullohen për herë të parë edhe aktivitetet promovuese në internet dhe rrjetet sociale, ndërsa Ministria e Financave vlerëson se korniza e re ligjore do të sjellë rregulla më të qarta për organizatorët, transparencë më të madhe dhe mbrojtje më të mirë për qytetarët që marrin pjesë në giveaway./INA/

Të fundit