Kryeministri Edi Rama ka publikuar për herë të parë pamjet e stadiumit të përfunduar ku do të performojë sot në 20:00 reperi amerikan Kanye West.
Kryeministri Edi Rama publikoi për herë të parë pamjet me dron të stadiumit të përfunduar, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës, ku do të mbahet koncerti i reperit amerikan Kanye West. Kryeministri Rama thotë se ky koncert është maketing global për Shqipërinë dhe se anulimi i tij do na turpëronte në arenën ndërkombëtare.
“Gati stadiumi i koncertit që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës, të cilët falë ngjarjes muzikore të mbrëmjes së sotme do të bëjnë atë që bëjnë kudo shkon Kanye West: Do të vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, ndërkohë që vetëm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një investim, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë. Më shumë se sa 4 milionë do të jenë ato që do të rikthehen edhe në vetë arkën e shtetit, nga rritja e konsumit dhe është vërtetë gjynah që rrimë bëjmë këtë bisedë, në një ditë të shënuar kulturore si kjo për Shqipërinë
Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është marketing global për Shqipërinë, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Dhe kjo nuk është një shpikje shqiptare. Është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës. Kush kujton se kultura është luks duhet ta rishikojë këtë opinion të gabuar.
“S’kemi bukë, s’na duhet kultura”? Gabim, kultura nuk është vetëm ushqim shpirtëror, po edhe ekonomi, turizëm, zhvillim. Bukë! Prandaj ta paraqesësh një investim të tillë si para të hedhura në erë është të mos kuptosh se si krijohet vlerë monetare nga ngjarjet kulturore e sportive, ndërkohë që e kundërta, anullimi i koncertit, do të ishte turpërim i Shqipërisë dhe dëm i madh në imazhin e mezingritur të vendit tonë. Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj”, shkruan Rama.







