Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) njoftoi se gjatë kontrollit të sistemit të e-Shërbimeve Tatimore (E-PPD) janë konstatuar më shumë se 35.000 profile përdoruesish të paregjistruar plotësisht transmeton INA.
Sipas institucionit, një numër i madh qytetarësh kanë dorëzuar kërkesë për krijimin e profilit si tatimpagues – persona fizikë, por nuk e kanë përfunduar procedurën e regjistrimit.
Për këtë arsye, DAP ka dërguar njoftime të personalizuara nga adresa elektronike [email protected], ku qytetarët udhëzohen për hapat që duhet të ndjekin për ta përmbyllur regjistrimin.
Të gjithë qytetarët që kanë pranuar këtë njoftim ftohen të paraqiten në zyrën kompetente të DAP-it me një dokument të vlefshëm identifikimi, ku një person i autorizuar do ta miratojë regjistrimin e tyre.
Nga DAP rikujtojnë se një profil aktiv në sistemin e-Shërbimet Tatimore u mundëson qytetarëve përdorimin e shërbimeve elektronike përmes portalit shtetëror, qasje në të dhënat e deklaratës vjetore të tatimit mbi të ardhurat personale, marrjen e vërtetimit për të ardhurat e realizuara, si dhe përdorimin e të dhënave që DAP ua dërgon institucioneve të tjera për realizimin e të drejtave të ndryshme.
Po ashtu, profili aktiv është i domosdoshëm edhe për përdorimin e aplikacionit “TVSH-ja Ime”, për skanimin e kuponëve fiskalë dhe përfitimin e rimbursimit të një pjese të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH).
Për informacione shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë DAP-in përmes adresës elektronike [email protected] ose në numrat e telefonit të institucionit./INA/








